Pas vështirësive që kaluan këtë vit nga mungesa e subvencioneve dhe rritja e kostove, fermerët presin një vit më të mirë në bujqësi më 2023, si në prodhim, edhe në eksporte.

Funksionimi i skemës për subvencionin e serrave pritet të rrisë më tej sipërfaqet e mbjella, ndërkohë që kërkesa e jashtme për prodhimet shqiptare do të zgjerojë eksportet deri në 10%.

Sektori i blegtorisë do të vazhdojë të jetë problematik, nëse nuk rritet çmimi i qumështit për prodhuesit e vegjël.

“Serrat ekzistuese do të mbillen, por do të zgjerohen më tej për arsye të vënies në funksion të skemës së subvencionit”, tha Mariglen Ziu, i cili kultivon rreth një hektar serrë në Samaticë të Beratit një nga zonat me intensitet të lartë të zhvillimit të bujqësisë në sera.

Aktualisht, skema e subvencionit për serrat është 40 mijë lekë për dynym, e ndarë në dy faza, në dy sezone me nga 20 mijë lekë për dynym.

Fermerët dorëzojnë faturat e fidanit në zyrën e AZHBR-së dhe paratë kalojnë direkt në bankë në llogarinë e fermerit, tha z. Ziu, duke shpjeguar se kjo po nxit mbjelljet.

Fermeri tjetër, Alban Çakalli, i cili kultivon kultura të rralla me vlerë të lartë në zonën e Mamurrasit, tha se kostot në inputet bujqësore janë rritur nga 50-100% dhe këto nuk janë reflektuar totalisht në çmimet e produkteve.

Pavarësisht problematikave që po kalon bujqësia shqiptare eksportet bujqësore parashikohen me rritje vitin që vjen. Në vitin 2023 pritet të rriten eksportet në masën 10%, për disa arsye.

Nga rritja e sipërfaqeve të serrave, por edhe nga rritja e prodhimit të disa pemëve frutore, sidomos e mandarinës klementinë që po bëhet një frutë interesante, e cila po kërkohet nga tregjet europiane, tha Ruzhdi Koni një nga eksportuesit më të mëdhenj të prodhimeve bujqësore në vendin tonë.

Ndryshe nga degët e tjera blegtoria do të kalojë një situatë të vështirë edhe në vitin 2023. Sektori i blegtorisë do të vijojë trendin rënës në numrin e krerëve, nëse nuk sigurohet një çmim më i lartë për qumështin e fermerëve, thotë Ervin Resuli, i cili zotëron një fermë gjedhi dhe njëkohësisht është një njohës i mirë i sektorit.

Resuli thotë se numri i bagëtive do të pësojë rënie te fshatarët, të cilët shesin një litër qumësht më pak se 100 lekë.

Alban Çakalli: 2023, një vit i vështirë dhe sfidues për bujqësinë, kostot nuk justifikohen nga çmime

Alban Çakalli, fermer me njohuri të thelluara në sektorin e bujqësisë, parashikon se viti 2023 do të jetë i vështirë për bujqësinë shqiptare, për shkak se rritja e kostove rrezikon t’i bëjë produktet tona më pak konkurruese në tregjet rajonale, në kushtet kur mungojnë subvencionet.

Ai tha se kostot për të gjitha inputet në vitin 2022 janë rritur mbi 50%, të cilat nuk janë reflektuar tërësisht në çmime e për rrjedhojë ka më pak fitime për fermerët.

Mungesa e infrastrukturës, mekanikës, stafeve profesionale dhe punëtorëve të thjeshtë do të përkeqësojnë klimën në sektor.

Si ndikoi lufta në Ukrainë në aktivitetin tuaj këtë vit si në kostot e prodhimit dhe në shitje?

Lufta në Ukrainë ishte faktori kryesor që ndikoi në rritjen e çmimeve të inputeve bujqësore. Kemi pasur rritje të kostos së plastmasës, të tubave të ujit, plehrave organike dhe gjithçka që ka të bëjë me bujqësinë.

Kemi pasur rritje çmimi të inputeve mbi 50% dhe kjo nuk është kthyer në rritje çmimi të produkteve tona, sepse qytetarët nuk kanë pasur mundësi ekonomike të blinin me çmime më të larta.

Për rrjedhojë, i kemi shitur prodhimet me të njëjtat çmime siç kanë qenë dhe kjo na ka rrezikuar fitimin që ne kemi shitur pa leverdi ekonomike.

Shpeshherë, moskoordinimi i të mbjellave nga të gjithë fermerët ka ndikuar që në një sezon të caktuar të dilnim me të njëjtin produkt të gjithë dhe në një sezon tjetër të mos kishte asnjëri atë produkt që kërkonte tregu.

Kjo ndodh për shkak se ne nuk jemi të orientuar saktë në bazë të statistikave të konsumit të qytetarëve shqiptarë, d.m.th., që ne të prodhojmë aq sa konsumohet.

Sa parashikoni të rriten eksportet në bujqësi në vitin 2023?

Kërkesat për produkte bujqësore në vendet e BE-së janë jashtëzakonisht të larta, por për shumë arsye, sidomos të rritjes së kostove së një fermeri shqiptar më shumë se sa të një fermeri europian, taksa 10% e inputeve bujqësore, si dhe mossubvencionimi i fermerit shqiptar, ndikojnë që në të na dalë produkti më shtrenjtë se në vendet fqinjë.

Për rrjedhojë, ne nuk bëhemi konkurrues dhe nuk kemi ndonjë pritshmëri për rritjen e eksporteve.

Cilat janë nga disa nga problematikat me të cilat po përballet sektori i bujqësisë në të gjithë zinxhirin e tij, të cilat mund të kenë ndikim edhe në vitin 2023?

Ndikim kryesor ka mungesa e infrastrukturës bujqësore, e cila fillon që nga mungesa e kanaleve kulluese kryesore, mungesa e kanaleve vaditëse, pikave të grumbullimit në pika të caktuara, një burse bujqësore ku prodhimi me shumicë të shitet në varësi të çmimit si në vendet europiane.

Ndikim ka dhe mungesa e agronomëve, risive bujqësore që ne të jemi inovativë, që produktet tona të jenë të njëjta me ato të BE-së.

A keni vështirësi në gjetjen e fuqisë punëtorë? Çfarë projeksionesh keni për pagat dhe punësimin në bujqësi në vitin 2023?

Problematikë e theksuar që kemi hasur këtë vit është mungesa e fuqisë punëtore. Kjo vjen si pasojë e mungesës së të ardhurave të fermerit për të rritur pagën e një punëtori, kështu nuk do të largoheshin nga vendi.

Problem tjetër me punëtorët është se ne ofrojmë punë sezonale dhe nuk arrijmë t’i sigurojmë punë një punëtori për të gjithë vitin. Ne nuk kemi bërë ndërthurje kulturash bujqësore që të arrinim të mbillnim dhe të vilnim gjatë gjithë vitit.

Çfarë projeksionesh keni për pagat dhe punësimin në bujqësi në vitin 2023?

Projeksioni për pagat për vitin 2023 është në varësi të subvencionimit që mund të bëjë shteti shqiptar. Në qoftë se ne do të punojmë tokat me 230 lekë litri dhe do të kemi taksime për inputet bujqësore, viti 2023 do të jetë edhe më i vështirë se Ai që lamë pas.

Kjo po ndikon që shumë fermerë të braktisin fshatin e bujqësinë dhe të largohen në emigrim duke punuar në bujqësi apo në ndërtim në vendet e tjera.

Shumë fermerë të mëdhenj kanë provuar që të marrin punëtorë të huaj, por rendimenti në punë ka qenë edhe më i vogël se sa me punëtorët shqiptarë.

Kështu që nëse nuk punohet seriozisht për një plan të qëndrueshëm zhvillimi, do të ketë pasoja të mëdha në bujqësinë shqiptare aq sa do të duhen dhjetëra vite që të rikthehemi në nivelet e viteve më parë.

Ervin Resuli: Blegtoria me rënie, nëse fermerët shesin qumështin më pak se 100 lekë litr

Sektori i blegtorisë do të vijojë trendin rënës në numrin e krerëve nëse nuk sigurohet një çmim më i lartë për qumështin e fermerëve, thotë Ervin Resuli, i cili zotëron një fermë gjedhi dhe njëkohësisht është njohës i mirë i sektorit.

Resuli thotë se numri i bagëtive do të pësojë rënie te fshatarët, të cilët shesin një litër qumësht më pak se 100 lekë.

Ai sugjeroi që qeveria duhet të mbështesë nga fondet e IPARD baxhot e vogla që përpunojnë qumështin e fermerëve, pasi struktura e blegtorisë me ferma të vogla nuk e mbështet industrinë e përpunimit të qumështit.

Si i parashikoni zhvillimet në sektorin e blegtorisë në vitin 2023 si në numër krerësh dhe në rendiment?

Blegtoria po kalon një periudhë tepër të vështirë dhe kjo për shumë faktorë!

Së pari, mbështetja me fonde publike (subvencione) ka qenë ndër vite e vogël nga qeveritë.

Së dyti, industria e përpunimit të qumështit nuk jep një çmim për qumështin e fermerëve që ta bëjë sektorin e blegtorisë fitimprurës. Qumështi i lopës në fermë nën 100 lekë të reja për litër është mohim për ekzistencën e blegtorisë në Shqipëri.

Gjithashtu qumështi i deles në 200 lekë të reja për litër është shkatërrues për blegtorinë e imët dhe falimentim i sigurt për blegtorët.

Zhvillimet në vitin 2023, në sektorin e blegtorisë, do të jenë shumë në varësi të zbutjes së kostove nëpërmjet skemës kombëtare që qeveria mund të vërë në dispozicion, po ashtu dhe industria e qumështit duhet të rrisë çmimin dhe të ulë normën e tyre të fitimit që blegtoria të mbijetojë apo të mos kemi këtë trend rënës.

Si kanë ndikuar rritja e kostove të lëndëve të para në aktivitetin e prodhimit këtë vit dhe me çfarë vështirësish po përballet sektori i blegtorisë?

Në vitin 2022, sektori i blegtorisë u përball me rritje të kostove në të gjitha lëndët e para. Nga ana tjetër, qumështi ka pasur rritje të lehtë të çmimit që nuk i ka reflektuar të gjitha kostot.

Çmimi që jep industria e qumështit te blegtorët është për të ardhur keq, ndërkohë që është reflektuar disafish te konsumatori. Pra nuk kemi një rritje të drejtë nga të dyja anët, fermeri dhe konsumatorët.

Stabilizimi i çmimit të qumështit dhe mbështetja nëpërmjet skemës kombëtare do të jetë një nga mënyrat për të stabilizuar rënien e blegtorisë.

Çfarë modeli duhet të ndjekë qeveria jonë, në mënyrë që të nxisë sektorin dhe të sigurojë mbarëvajtje në të gjithë zinxhirin e blegtorisë?

Modeli për mbështetjen e blegtorisë që duhet të japë Ministria apo Qeveria është përfshirja me çdo kusht në skemat e iPARD, nxitja e baxhove të vogla, njësive të vogla të përpunimit që janë në fshat apo afër blegtorit.

Produktet dhe nënproduktet me 100% të qumështit nga baxhot artizanale do të kthejnë interesin te blegtorët për qumështin e tyre. Të gjitha lëndët e huaja që hynë nga jashtë për industrinë e qumështit, përfshirë vajin e palmës, qumështin pluhur apo zëvendësuesin e tij, kremin e qumështit apo pluhurin e hirrës heqin interesin e fabrikave të qumështit nga qumështi i blegtorëve tanë.

Baxhot, e ardhmja e bulmetit shqiptar! Në Shqipëri blegtoria nuk mund të jetë e madhe, po ashtu dhe industria e qumështit, toka bujqësore e fragmentuar nuk e mundëson që fermat e lopëve të jenë +200 krerë, po ashtu dhe fabrikat nuk duhet të jenë të mëdha, ato duhet të përpunojnë qumështin e zonave blegtorale dhe të prodhojnë traditën dhe vlerat e zonave përkatëse.

E thënë ndryshe, të prodhojnë traditën dhe të shesin markën “Made in Albania”.

Shqipëria nuk e konkurron dot botën me nënprodukte të qumështit, pasi s’ka qumësht. Shqipëria nuk mund të çajë tregun botëror me vaj palme dhe zëvendësues të qumështit pluhur, por mundet me shije dhe aromë shqiptare dhe duke i dhënë vlerë qumështit të blegtorit do të rritet edhe blegtoria. MONITOR