Gjykata e Elbasanit ka lënë në burg dy rusët dhe ukrainasin, që tentuan të futen në uzinën e përpunimit të armëve në Gramsh, disa ditë më parë. Gjykata rrëzoi kërkesën e avokatëve të tyre mbrojtës, të cilët kërkuan masë më të butë sigurie.

Në një deklaratë për mediat, avokati i shtetasit ukrainas Fjodor Mihajlov, Saimir Vishaj ngriti një shqetësim se klienti i tij nuk është pyetur në gjuhën e tij amtare, por atë ruse. Sipas avokatit kjo shkelje rrëzon të gjithë procedurën e marrjes në pyetje. Po kështu Visha tha se policia dështoi pasi akuza ishte regjistruar për 5 vepra penale dhe aktualisht kanë mbetur dy.

“Në lidhje me klientin tim që është Ukraina, është mohuar gjuha zyrtare e tij. Nuk mund të pyetet në gjuhën ruse, ndonëse e kupton këtë gjuhë. Personat nën hetim të tjerë kanë kërkuar të mbrohen nga avokatë të zgjedhur. Por gjykata ua ka caktuar.

Në lidhje me akuzat ju e dëgjuat edhe vetë që nga ana e policisë dështoi. Kanë ngelur vetëm dy vepra penale, goditje për shkak të detyrës dhe sigurimi i të dhënave. Nuk ka fakt penal që të bësh fotografi. I mbrojturi prej meje është shtetas ukrainas dhe nuk ka pasur lidhje shërbimet ruse”, tha avokati Vishaj.

Svetlana Timofoeva, Mikhail Zorin dhe 25-vjeçari ukrainas Fjodor Mihajlov u arrestuan pasditen e së shtunës. Ata u pikasën pranë ambienteve të uzinës ushtarake në orën 17.30. Njëri nga të huajt u përlesh me ushtarët, të cilët ruajnë objektin, duke lënduar dy prej tyre.