Pothuajse të gjitha pikat turistike të Elbasanit nuk kanë pasur fluksin e pritshëm të vizitorëve sivjet edhe pse pritshmëritë ishin jashtëzakonisht të mëdha. Ndërkohë që në pikën më të afërt turistike me qytetin e Elbasanit në Byshek situata thuajse ishte katastrofike në të gjitha aspektet. Dikur kjo pikë turistike ishte e mbipopulluar nga turistët vendas dhe ata të huaj, por tani kjo duket që i përket së kaluarës.

Mjerisht vitet e fundit, kjo traditë është zbehur edhe më shumë dhe banorët e zonës ndihen të trishtuar që Bysheku është tradhtuar edhe nga vizitorët e tij të zakonshëm. Kjo lidhet me degradimin gradual të Byshekut dhe mungesën e vëmendjes së institucioneve shtetërore për atë pjesë për të cilën ato kanë edhe përgjegjësi. Për ata që kanë kohë pa shkuar në Byshek është e pabesueshme kur u shfaqet para syve një imazh i shëmtuar i asaj mrekullie që kanë parë vite të shkuara dhe kjo ka sjellë edhe braktisjen masive të Byshekut nga turistët. I quajtur ndryshe si “Driloni” i Elbasanit tashmë Byshekun asgjë nuk e lidh me identitetin e tij dhe jo më me Drilonin e famshëm.

Natyra me Byshekun është treguar bujare. Hije nën rrepet shekullore, ujë të freskët burimi dhe ajër të pastër.

Por njerëzit dhe shteti jo aq shumë. Mungesa e investimeve në infrastrukturë pengon zhvillimin e pikës së njohur turistike në Elbasan.

Por megjithë kushtet vizitorët në Bushek nuk mungojnë! Të rinj apo familjarë mbajnë ende gjallë traditën e piknikut dhe kërkojnë që shteti të mos e lërë jashtë vëmendjes

Bysheku ndodhet rreth 9 km larg qytetit, dhe është një nga pikat turistike  të frekuentuara tradicionalisht nga elbasanasit.