Në dy sfidat e Shqipërisë ndaj Polonisë dhe Hungarisë, Çekiçi është aktivizuar si titullar nga trajneri Reja duke dhënë disa paraqitje të mira në ato minuta që i është besuar. Në konferencën për shtyp para ndeshjes së radhës kundër San Marinos, Çekiçi u shpreh:

Trajneri dhe ambiciet– ”Në pjesën e parë kemi bërë ndeshje të mirë edhe me Poloninë. Në pushim të ndeshjes dje, trajneri na tha që mos bënim të njëjtat gabime se mund të na përsëriteshin të njëjtat si në Poloni. Besoj se kemi një grup me lojtarë të talentuar, besoj se në vitet e ardhshme do kemi ekip kompetitiv jo vetëm në rajon por edhe në botë”.

Minutat- ”Natyrisht që çdo lojtar do të luaj, e rëndësishme është që të jesh pjesë e grupit, vjen gradualisht, edhe nëse nuk luaj do bëj maksimumin. Vij këtu për fanellën. Nuk na vendos në trysni kundërshtari sepse e dimë çfarë cilësish kemi, besojmë te lojtarët dhe mund të arrijmë vendin e dytë në grup. Ka shumë lojtarë të rinj dhe këtu do e shohim njëri-tjetrin për shumë vite. Në ndeshjet në vazhdim hap pas hapi loja do vijë duke u përmirësuar”.

Goleadë ndaj San Marinos– ”Do ishte ekstra, por në fillim tri pikët kanë vlerë. Besoj se kemi ndryshuar stilin e lojës, jemi më ofensivë, do hyjmë për të shënuar”, tha mesfushori pogradecar.

(BalkanWeb)