Sipas raportimeve të fundit tregohet se Andrew Wilson, CEO i Electronic Arts, ka njoftuar stafin e tij se liçensa e FIFA ka qenë një pengesë e shpresave të EA për të lançuar lojëra të reja futbolli.
“Unë do të filloj të jem më i hapur… më i hapur se ç’kam qenë me botën jashtë” tha Wilson kur u pyet se përse EA po konsideronte ndarjen nga FIFA. “Ne kemi patur një marrëdhënie shumë të mirë me FIFA gjatë 30 viteve të fundit. Ne kemi rritur vlerën në miliarda, kemi krijuar një nga lojërat më argëtuese në planet. Unë besoj se FIFA ka më tepër kuptim si një video-lojë se një organizatë organizuese e futbollit. Ne kemi punuar shumë fort për t’i treguar FIFA-s nevojat tona për të ardhmen.”
Në tetor të vitit të kaluar, debati midis EA dhe FIFA u bë dhe më i ashpër pas deklaratave kërcënuese të FIFA mbi monopolin e EA. Në deklaratë FIFA dukej sikur po denonconte mbizotërimin e frikshëm të video-lojës në treg, duke nxjerrë jashtë loje konkurentin e vetëm direkt, Pro Evolution Soccer. Prandaj FIFA kërkon të përfitojë më tepër se $1 miliardë për të drejtat e emrit të përdorur.
Aktualisht EA dhe FIFA kanë të nënshkruar një marrëveshje 10 vjeçare e cila mund të skadojë pas Kupës së Botës në Katar gjatë këtij viti, duke bërë që FIFA 23 të jetë loja e fundit e futbollit nga EA Sports me emrin FIFA në të.