Mobile World Congress, një ndër eventet më të mëdha të teknologjisë në botë, do të zhvillohet në Barcelonë duke filuar nga data 28 shkurt deri në 3 mars.

Gjatë viteve të fundit fokusi kryesor i MWC ka qenë tranzicioni drejt rrjetit 5G dhe prezantimi i koncepteve të reja të smartphone-ve të palosshëm. Mirëpo ka gjithmonë hapësirë për prezantimin e pajisjeve të tjera si laptopë apo ora smart të reja.

Samsung pritet të nisë transmetimin live në datën 27 shkurt që pa filluar MWC. Shpesh herë kompania e ka shfrytëzuar MWC për të lançuar smartphone flagship, por linja S22 është prezantuar pak më herët. Ajo që ne presim të shikojmë janë Galaxy Books të rinj.

Laptopë

Fjala “mobile” në MWC nuk qëndron vetëm për smartphone-t, pasi dhe laptopë të rinj do të prezantohen gjatë këtij eventi. Acer ka zbuluar më parë për prezantimin e laptopit të ri Swift 5 me ekran 16:10, ndërkohë që laptopë të rinj mund të vijnë dhe nga Lenovo apo Huawei.

Smartphone-t nga kompanitë kineze

Kompanitë e mëdha kineze, si TCL dhe Oppo pritet të prezantojnë smartphone të rinj gjatë MWC 2022. Ne besojmë se ka shumë mundësi që dhe Huawei të prezantojë një seri të re smartphone-sh gjatë këtij eventi, ose një pajisje të re të palosshme.