Kompanitë e mëdha të teknologjisë kanë filluar të ndërmarrin sanksione drejt adresave zyrtare të qeverisë ruse pas nisjes së luftës ndaj Ukrainës.

Ditën e shtunë YouTube lajmëroi se kishte dënuar median ruse RT dhe disa kanale të tjera nga ky shtet duke mos i lejuar të përfitojnë para nga reklamimet që gjenden në videot e tyre. Duke cituar “rrethanat e jashtëzakonshme” YouTube tha se do të “bllokojë aftësinë e monetizimit në YouTube për disa kanale të ndryshme ruse si pjesë e sanskioneve të ndërmarra”.

Gjithashtu algoritmi do të bëjë të mundur që këto video të mos shfaqen më në rekomandimet e personave të ndryshëm.

Meta ka bërë gjithashtu një lëvizje të ngjashme me Google, duke mos lejuar median e shtetit rus të publikojë reklama apo të përfitojë nga monetizimi i platformës së saj në të gjithë botën. Nathan Gleicher, drejtues i politikave të sigurisë në Facebook tha: “Këto ndryshime kanë filluar të respektohen dhe do të vazhdojnë përgjatë fundjavës.”