Shkrimi i një testamenti është ndoshta një nga gjërat që për pjesën më të madhe prej nesh ndoshta nuk i shkon nëpër mend, megjithatë është i nevojshëm të dihet si funksionon lënia e një dokumenti të tillë. Për të na folur mbi klauzolat, kriteret, përfituesit e trashëgimisë dhe çfarë mund të përfshihet në të, në emisionin “Shije Shtëpie” ishte e ftuar avokatja Drita Avdyli për të shpjeguar anën ligjore në fjalë të thjeshta e të kuptueshme.
Drita Avdyli: Në bazë të kuadrit ligjor, për ligjin për noterinë, kreu i familjes mund të lërë një testament me shkrimin e tij ose te noteri duke dhënë të gjithë pasurinë e trashëgueshme dhe atë që do të marrë në të ardhmen.
E bën me shkrim i vetëm, pa praninë e personave të tjerë?
Drita Avdyli: E bën i vetëm, me shkrim dore, me firmë dhe nënshkrimin e vet dhe këtë testament holograf e dorëzon te noteri, por mund ta bëjë edhe në prani të noterit.
Dhe në rastin tjetër është me noterin që e shkruan ai?
Drita Avdyli: Testament ligjor që e bën noteri, por që të kërkon shumë të dhëna dhe sigurisht që të pyet llojet e trashëgimisë apo pasurinë që ke, çfarë ke në bankë etj.
Ka gjëra që nuk mund të kalojnë në trashëgimi?
Drita Avdyli: Sigurisht, jo të gjitha kalojnë në trashëgimi, madje dua të bëj edhe dallimin këtu midis trashëgimisë dhe dhurimit. Është pothuajse njëlloj, por nëpërmjet dhurimit, unë mund t’ia dhuroj fëmijës sim, por i detyrohem 15% tarifave të shtetit. Ndërsa me testament, kjo është e zhveshur nga pagesat. Por testamenti si me shkrim, ashtu edhe përpara noterit, në dallim nga dhurimi, bëhet për pasurinë aktuale, të tundshme e të patundshme dhe atë që do të vijë në të ardhmen.
Cilët persona mund të përfshihen në testament?
Drita Avdyli: Në testament mund të përfshihen sigurisht brezi i parë, mund të anashkalosh njërin nga fëmijët, por nuk anashkalon dot nipin apo mbesën nën moshën 18 vjeç. Pra është i kundërshtueshëm nëse një prind dëshiron t’ia japë njërit prind, por edhe nëse nuk shkruhet apo edhe nëse e pranon noteri, ky testament është i goditshëm sepse prevalon e drejta e fëmijëve. Të gjithë nipat dhe mbesat nën moshën 18 vjeç automatikisht marrin një trashëgimi.
Lënia e trashëgimisë një individi që nuk është anëtar i familjes apo nuk ka lidhje gjaku nuk është pjesë e legjislacionit shqiptar, ndaj në këto raste mund të zbatohet dhurimi. Këtë të fundit avokatja e rekomandon më shumë pasi nuk lejon hapësira për kundërshtim në sajë të kushteve që kryhet, si fakti që personi është gjallë dhe dhuron çfarë mendon se është e përshtatshme, ndryshe nga testamenti që llogarit të gjithë pasurinë deri në momentin e largimit nga jeta të personit.