Lulzim Basha i kishte marrë të gjitha masat gjatë ditës së sotme, që karrigia e tij të qëndronte e paprekur, me dyert e godinës që ishin blinduar prej ditësh, edhe pse një fakt të tillë do ta mohonte live me zë dhe me figurë në një studio televizive.

Në godinën e PD-së, dera u hap vetëm për grupe të rinjsh, që më pas shërbyen edhe për hedhjen e gazit ndaj mbështetësve të Berishës, si dhe për të goditur me sende të forta, këdo që tentonte të hynte në seli.

Siç shihet dhe nga pamjet e mëposhtme, disa prej protestuesve janë qëlluar me gurë dhe me sende të forta, në momentin kur tentuan që të ngjiteshin në katin e dytë të selisë.

Persona me maska iu hodhën gaz lotsjellës pa kursim, ndërkohë që disa prej protestuesve u panë të gjakosur, dhe u transportuan në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Vetë Basha nuk ka bërë asnjë reagim derimë tani, ndërkohë që godina e PD-së është kthyer në një skenë krimi, dhe u mbajt për minuta të tëra e rrethuar nga punonjës të policisë.