Kamionistët kanadezë, të cilët protestojnë për të disatën ditë kundër kufizimeve anti-covid, kanë bllokuar rrugën kryesore për të kaluar drejt Shteteve të Bashkuara.
Shoqata e biznesit në të dyja vendet ka bërë thirrje për t’i dhënë fund bllokadës, pasi pengon shkëmbimin e mallrave.
Ministria e Transportit tha më herët se nëse rruga vijon të jetë e bllokuar, do të sjellë një impakt serioz negativ në ekonominë e vendit.
Ura e bllokuar, Windsor-Detroit Ambassador lidh Ontarion me Miçiganin dhe është vendkalimi tregtar më i ngarkuar në Amerikën e Veriut, zakonisht më shumë se 40 mijë udhëtarë, turistë e shoferë kamionësh kalojnë çdo ditë në këtë aks.
Ndërkohë protestës së kamionëve për liri i janë bashkuar edhe qindra fermerë.
Qindra zetorë dhe mjete të tjera bujqësore kanë përshkruar disa akse të vendit dhe shumica e tyre ka zbarkuar në kryeqytetin kanadez Otava, atje ku gjenden mijëra mjete të tjera, më së shumti kamionë, që protestojnë kundër masave anti-covid.
Kryeministri kanadez, Xhastin Trudo, i cili iu iku protestave, është zotuar që t’i japë fund protestës së kamionëve edhe pse policia e vendit shpalli mos kompetencë për ta stabilizuar situatën.
Nga ana e tyre, kamionistët shprehen se do ta zgjasin protestën sa më gjatë deri në heqjen përfundimtare të masave.