Efektivë të Forcave Speciale kanë sfiduar të ftohtin dhe kushtet e vështira të motit duke u trajnuar për herë të parë vetëm me pajisjet e tyre personale, në Voskopojë të Korçës.

Ministri i Mbrojtjes përmes një video të postuar në rrjetet sociale ka shpërndarë pamje nga kjo stërvitje në kushte të vështira, nën emërtimin “Selita 02” që kishte si synim testimin e kapaciteteve larg vend dislokimit të përhershëm.

Trupat elitë sfiduan terrenin malor dhe motin ekstrem të Voskopojës dhe përveç veprimeve tashmë të zakonshme u praktikuan edhe taktikat speciale me ski. Kolonel Ajet Jata, komandant i batalionit të Forcave Speciale shpjegon se “Forcat Speciale për herë të parë trajnohen në një terren të vështirë vetëm me pajimet e tyre personale duke iu përshtatur mjedisit.

Forcat speciale dhe roli i tyre sa vjen e rritet. Këtë e shohim në të gjitha aktivitetet dhe dimensionet e Forcave Speciale dhe angazhimet që ata kanë sot në Botë. Edhe ne jemi në rrugë të mbarë, pasi dita-ditës po rrisim kapacitetet tona e synojmë që të krijojmë një Forcë Speciale që të jetë e aftë të kryejë detyra speciale me një spektër të plotë të luftimeve ».

Objektivat e stërvitjes janë zbulimi special, kalimi në prapavijat e kundërshtarit, goditje direkte, kërkim-shpëtimi, prita, kundërprita, gjurmimi e kundërgjurmimi./abcnews.al