Kryeministri Edi Rama nuk do të jetë pjesë e Asamblesë së PS-së që pritet të mbahet pasditen e sotme, online, pasi është nisur drejt Turqisë.

Mësohet se mbledhja e asamblesë që i paraprin asaj të Kongresit javën e ardhshme, do  të drejtohet nga sekretari i përgjithshëm i PS-së Taulant Balla.

Nuk dihet ende se cilat kanë qenë arsyet që  e kanë detyruar Ramën që të niset me urgjencë drejt Turqisë, dhe duke braktisur në njëfarë mënyre dhe punët e brendshme në parti.

Asambleja e socialistëve është parashikuar të mbahet sot (2 Qershor), gjatë orëve të pasdites (online), ku është kërkuar që të mblidhet dhe të paraqitet informacion në lidhje me strukturat e partisë socialiste, dhe punën që ato kanë bërë në zgjedhjet e 25 Prillit.

Më herët ka pasur indicie se Rama mund të ndryshojë drejtuesit politikë në disa qarqe kryesore të vendit, pasi nuk ka qenë i kënaqur me rezultatin që ato kanë marrë në 25 Prill. Në mesin e qarqeve ku PS ka marrë një rezultat zhgënjyes në raport me katër vite më parë është Fieri, qark i cili drejtohet nga zëvendëskryeminsitri Erion Braçe.

Mbledhja e asamblesë së socialistëve i paraprin mbledhjes së Kongresit në 12 Qershor, ku pritet që të ketë dhe analizë më të thelluar të zhvillimeve brenda partisë.

Kongresi do të zhvillohet fizikisht me praninë e të gjithë anëtarëve pasditen e 12 qershorit, por në selinë rozë po mendohet që kongresi të zhvillohet edhe një pjesë ditën e diel, për të shmangur praninë e shumë personave në një sallë.