Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për katër adoleshentët e përfshirë në konfliktin e 16 Majit në Gramsh, ku mbeti i vrarë 15-vjeçari Fatjon Bici.
Ndonëse pala mbrojtëse kërkoi një masë më të lehtë sigurie, gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë.
Seanca zgjati më shumë se tre orë, ndërkohë që të miturit janë asistuar edhe nga psikologë, gjatë përballjes me akuzën e vrasjes, e cila në këtë rast është kryer në bashkëpunim.
Mësohet se familjarë të 4 të miturve që dyshohen për vrasjen kanë qëndruar në ambientet e jashtme të Gjykatës së Elbasanit, ku kanë pritur edhe vendimin.
Ngjarja e rëndë në Gramsh ndodhi menjëherë pas përfundimit të orës së 6-të të mësimit, ku nxënësit ishin duke u larguar pranë banesave të tyre.
Viktima ka hyrë për të ndarë një sherr të nisur nga grupi i autorëve me një të afërmin e tij, kur ka marrë një plagë në zemër, me thikë, e cila ka qenë fatale për jetën e tij.