Drejtuesit e Chelseat përforcuan organikën e trajnerit Mauricio Pochetino me sulmuesin Nicolas Jackson. 22-vjeçari mbërriti në Londër pas eksperiencës me Villareal teksa kartoni i senegalezit i kushtoi arkave të “Bluve të Londrës” 37 milionë euro.
Pas Christopher Nkunku, Jackson bëhet i dyti sulmues që mbërrin në radhët e Chelseat duke shtuar kështu konkurrencën në një repart pjesë e të cilit është edhe Armando Broja. Sulmuesi i kombëtares që ishte i pafat sezonin e kaluar pasi dëmtoi ligamentin e gjurit dhe qëndroi jashtë fushave për më shumë se gjashtë muaj, tashmë është në fazën e fundit të rikuperimit dhe gati për sezonin e ri.
Por, pas zyrtarizimit të Jackson, bëri habi jo pak postimi i 21-vjeçarit kuqezi në rrjetet sociale. Broja postoi një foto të tijën në Stamford Bridge, shoqëruar me dy pikëçuditëse. Ky reagim që erdhi menjëherë pas firmës me Jackson bëri që të reagonin tifozët e Chelseat të cilët e përkthyen në mënyra të ndryshme postimin e Brojës.
Shumë mendojnë se Broja do të largohet pasi nuk ka më hapësirë te Chelsea, ndërsa të tjerë mendojnë se postimi lidhej me faktin se ai është gati dhe se e ka lënë pas dëmtimin. Mbetet për t’u parë tashmë nëse pas postimit të Brojës kishte një mesazh, apo ishte thjesht një rastësi që postimi erdhi pas zyrtarizimit të Jackson. Megjithatë, është periudhë merkatoje dhe fansave nuk iu ka shpëtuar ky detaj.