Tre shpërthime në 15 orë; edhe pse u duk sikur aktiviteti në kraterin juglindor të vullkanit kishte përfunduar, skema e Etnës tani është “ndalo, e shpërthe”, pasi furia e saj u rindez sërish.
“Një herë fiket, pastaj ka shpërthime të papritura, vetëm të brenda 15 orësh shpërtheu tre herë”, thonë mediat vendase. Një shtëllungë gjigande tymi e hiri u ngrit këtë radhë në një lartësi prej 6.5 km, ndërsa materialet piroklastike të vullkanit ranë mbi zonat në jug të tij duke u shtrirë deri në detin Jon.
Sërish ai që bën spektakël është krateri juglindor, i cili u mendua se qe shuar thonë ekspertët e Institutit Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë. Etna është vullkani më aktiv I Europës dhe për këtë arsye, mbetet një destinacion turistik tejet popullor.
Edhe pse konsiderohet gjerësisht se ai nuk përbën rrezik për popullsinë lokale, ai sërish monitorohet me rreptësi të madhe.
Dy vullkanët e tjerë ende aktivë në Itali janë Stromboli dhe Vezuvi.