Një ditë më parë, kompania britanike Rolls Royce prezantoi makinën më të shtrenjtë në botë, një model Boat Tail, të bërë me porosi për një çift të famshëm. Mediat botërore aluduan se bëhej fjalë për një reper amerikan që kishte porositur një makinë luksoze për të shëtitur në Rivierën franceze.

“The Telegraph” shkon më tej, duke zbuluar se me shumë gjasa bëhet fjalë për çiftin Jay Z dhe Beyonce, të cilët i përshtaten më së miri “identikitit” të porositësit të mjetit që kushton 20 milionë paund, thuajse dyfish i makinës që mbante fronin e më të shtrenjtës, Bugatti La Voiture Noire.

Jay Z dhe Beyonce pëlqejnë së tepërmi të kalojnë pushimet e tyre në jug të Francës, në Cote d’Azur dhe gjithçka tek ajo makinë lë të kuptohet se është realizuar për të plotësuar shijet e çiftit milioner.

Pa e zbuluar emrin e pronarit të makinës, Alex Innes, kreu i departamentit të dizajnit te Rolls Royce, tha për “The Telegraph”: “I kam shijuar takimet e shumta e pronarin dhe bashkëshorten e tij në shtëpinë e tyre. Atyre u pëlqen të shërbejnë meze, kështu që punuam që pjesa e pasme e makinës t’i kishte të gjitha në vendin e duhur. I vendosëm pjatat dhe gotat e kristalta dhe e testuam makinën me shpejtësi 250 km/h, për t’u siguruar që asgjë nuk do të thyhej”.

Frigoriferi brenda në makinë është i fiksuar në 6 gradë Celsius, temperatura ideale për shampanjën “Armand de Brignac Luxury Vintage”, e preferuara e pronarit, që kushton gati 58 mijë paund shishja. Në shkurt të këtij viti, Jay Z shiti 50% të aksioneve të “Armand de Brignac” te “Moët Hennessy”, për një shifër të padeklaruar publikisht.