Në këtë periudhë konsumi ka shënuar rënie për produktet e shportës që varion nga 15 deri në 40% më pak krahasuar me vjet.
Kompanitë kryesore të prodhimit dhe importit në vend pohojnë se arsyet kryesore të tkurrjes së konsumit janë rritja e çmimeve nga shtrenjtimi i kostove dhe emigracioni masiv i popullsisë, kryesisht të rinjve.
Në qershor, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte mallrash të caktuar, arriti në 7.4%, niveli më i lartë në 20 vjet, i ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i produkteve ushqimore dhe karburanteve.
Për shkak të shtrenjtimit të çmimeve, tendenca e konsumit është me rënie për produktet e mishit, bulmetit, vajit të lulediellit, birrës dhe pijeve freskuese, ndërsa është rritur konsumi i bukës.
Në bare dhe restorantet e Tiranës e bregdetit të Jugut, operatorët thonë se konsumi ka rënë 30 deri në 40% nga rritja e çmimeve.
Shqetësimi më i mprehtë për strukturat e shërbimit është mungesa e madhe e fuqisë punëtore dhe emigracioni i të rinjve që ka shtuar kostot e shërbimit.
Çmimet e katër artikujve ushqimorë prej fillimit të muajit prill kontrollohen nga Bordi i Transparencës. Operatorët e tregut pohojnë se mbajtja në kontroll e çmimeve nuk ka ndikuar te rritja e ekonomisë së shkallës (konsumit), por te shtimi i marzheve të fitimit, pasi ka nxitur dyqanet e vogla të produkteve ushqimore për të shtrenjtuar çmimet e produkteve të tjera.
Në anën tjetër, prodhuesit, përveç shtimit të kostove nga shtrenjtimi i lëndëve të para, për shkak të tendencës globale, vuajnë konkurrueshmërinë e produkteve të rajonit, pasi paguajnë më tepër taksa.
Përpunuesit e mishit ngrenë shqetësimin se taksa e lëndës së parë përpunuese dhe TVSH-ja e shtrenjton 40% më shumë prodhimin e tyre sesa Maqedonia e Veriut. Përfaqësues të industrisë i bëjnë thirrje qeverisë të heqë taksën 12% të përpunimit të lëndës së parë dhe TVSH-në e naftës te bizneset.
Kostot nga taksat dhe çmimet e lëndëve të para janë shtrenjtuar edhe për përpunuesit e qumështit pas heqjes së TVSh-së 6% të kreditueshme nga 1 janari 2022.
Përfaqësuesit e këtyre industrive njëzëri kërkojnë që qeveria të ndërhyjë me uljen e TVSh për produktet e shportës, në ndihmë të konsumatorit.
Çmimet e larta tkurrin konsumin e mallrave të shportës
Konsumi i produkteve të shportës për mallrat e shportës, si: vaj luledielli, oriz, makarona dhe sheqer për muajin korrik është me rënie krahasuar me vitin e kaluar.
Përfaqësues të kompanisë “Teuta”, një nga distributorët kryesorë të mallrave ushqimore, thanë për “Monitor” se tkurrja e konsumit është ndikuar nga blerjet e panikut të konsumatorit, pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë, por edhe për shkak të stinës së verës, që karakterizohet për rënie të kërkesës te disa mallra të shportës ushqimore.
Rrjeti i supermarketeve “Big Market” pohoi për “Monitor” se për 20 ditët e para të muajit korrik, të ardhurat janë 8% më shumë krahasuar me vjet.
Përfaqësuesit e “Big Market” shpjeguan se tendenca e konsumit shfaqet e njëjtë në raport me vjet, ndërsa rritja e të ardhurave është ndikuar nga shtrenjtimi i çmimeve për produktet e shportës të mallrave të importit për shkak të tendencës globale.
Administratori i një prej kompanive të mëdha të importit të vajit në vend, Aredi Sado, shtoi se aktualisht, konsumi i vajit të lulediellit është 30 deri në 40% më pak se vjet. Për muajt prill-qershor të 2022, konsumi i vajit të lulediellit u tkurr 50% në raport me vjet, nga rezervat që krijuan konsumatorët të frikësuar nga çmimet e larta dhe mungesa e produktit për shkak të fillimit të luftë
Përfaqësuesi i kompanisë “Olim” thotë se tre janë arsyet kryesore të rënies së konsumit: emigracioni i lartë dhe mungesa e madhe e turistëve, kryesisht emigrantëve që nis pas datës 15 korrik, sasia ende e lartë e vajit të magazinuar nga konsumatori dhe rritja e lartë e çmimit.
“Rënia e konsumit pritet të krijojë situatë të vështirë te bizneset, pasi kostot operacionale (pagat e punonjësve, tarifat e transportit, taksat) vijojnë të mbahen në të njëjtat nivele kur konsumi ishte më i lartë.
Nëse kjo situatë vijon, i gjithë presioni do të shfryhet diku, bizneset do të jenë të detyruara të shkurtojnë numrin e të punësuarve, pasi nuk do të kenë mundësi financiare”.
Importuesit ngrenë edhe shqetësimin e tjetërsimit të konsumit të vajit, për shkak të sasisë të vajit që po hyn i pakontrolluar dhe i falsifikuar.
Sipas tyre, abuzimi është rritur në të gjitha drejtimet, duke përfshirë falsifikimet e markave të huaja, por edhe te hyrjet kontrabandë nga qytetet e pikave kufitare. Sipas të dhënave të Doganave, importet e vajit të lulediellit për vitin 2021 u rritën 8% më shumë se në 2020.
Ikin të rinjtë, konsumohet më pak sallam
Drejtuesi i kompanisë “Tona” thotë se arsyet kryesore të tkurrjes së konsumit janë shtrenjtimi i çmimeve të produkteve deri në 20% më shumë se vjet dhe emigracioni. “Arsyet kryesore të rënies së konsumit janë çmimet e shtrenjtuara dhe largimi i popullatës. Në emigracion po largohen të rinjtë që zënë peshë të lartë në konsumin e mallrave ushqimore. Konsumatori aktualisht nëse shpenzonte 100 lekë për produktet e sallamit dhe mishit, sot po shpenzon 75 lekë”, thotë ai.
Ulet konsumi për mish, sallam, proshutë
Prodhimi i sallamit në vitin 2020, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, u ul 9,6% krahasuar me 2019-n, ndërsa prodhimi i proshutës shënoi rritje të lehtë në vlerën e 0,8%. Sipas të dhënave të doganave, për vitin 2021, importet e sallamit u rritën 21% krahasuar me 2020-n.
Një nga drejtuesit e kompanisë kryesore të përpunimit të mishit në vend, Nikolla Tona, tha për “Monitor” se konsumi për produktet e përpunuara këtë sezon është 25% më pak se vjet. Drejtuesi i kompanisë “Tona” thotë se arsyet kryesore të tkurrjes së konsumit janë shtrenjtimi i çmimeve të produkteve deri në 20% më shumë se vjet dhe emigracioni.
“Arsyet kryesore të rënies së konsumit janë çmimet e shtrenjtuara dhe largimi i popullatës. Në emigracion po largohen të rinjtë që zënë peshë të lartë në konsumin e mallrave ushqimore. Konsumatori aktualisht nëse shpenzonte 100 lekë për produktet e sallamit dhe mishit, sot po shpenzon 75 lekë”, thotë ai.
Kompania parashikon ndryshime të konsumit edhe në vjeshtë, pasi pritet të ketë sërish rritje të çmimeve për konsumatorin nga një tjetër shtrenjtim prej 20% që fabrikat e huaja kanë njoftuar për lëndët e para. Z. Tona ngre shqetësimin se taksat e larta që paguan industria i rrisin kostot e prodhimit 40% më shumë se te prodhuesit e rajonit.
“Në industrinë e përpunimit të mishit, çmimet e produkteve të konsumatorit nuk po rriten artificialisht, por për shkak të kostove. Përveç shtrenjtimit të lëndëve të para, që tashmë është një problem global, industria vuan shtimin e kostove nga taksat e larta.
Taksa e lëndës së parë përpunuese në Shqipëri është 12%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut është zero. TVSH e produkteve të konsumit është 20%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut nga 5% që ishte u bë zero.
Prodhuesi maqedonas automatikisht konkurron prodhuesin shqiptar me kosto 32% më pak, për shkak të lehtësive fiskale, duke shtuar këtu taksat për karburantin, gazin dhe energjinë, kostoja e lartë nga taksat arrin deri në nivelin 40%.
Nëse për të prodhuar një produkt mishi me kosto 500 lekë në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, për shkak të lehtësive fiskale, kostoja e prodhimit është 300 lekë”, thotë ai.