Shtrenjtimi i derivateve nuk ka të ndalur në Kosovë. Çmimi i naftës dhe benzinës është duke u rritur për çdo ditë nga 8 deri në 10 centë. Çmimet e karburanteve tashmë kanë arritur në 1 euro e 60 centë, por paralajmërohet se një litër naftë do të shkoj në 1.80 centë dhe në 2 euro.

Pushtimi ushtarak rus në Ukrainë po ka ndikim negativ çdo ditë e më shumë edhe në tregjet ndërkombëtare. Një krizë e tillë ka goditur edhe ekonominë e Kosovës, duke sjellë shtrenjtim të produkteve të ndryshme, sidomos për derivatet e naftës që po shtrenjtohen vazhdimisht.

Çmimet e karburanteve janë ndër faktorët e parë që po ngritën vazhdimisht këto ditë në Kosovë.

Prej ditës së djeshme, çmimet e derivateve janë ngritur për 10 centë në litër.

Çmimet e karburanteve tashmë kanë arritur deri në 1 euro e 60 centë.

E kryetari i Shoqatës së naftëtarëve Fadil Berjani paralajmëron se çmimet pritet të arrijnë deri në 1. 80 centë dhe deri në 2 euro.

“Çmimet dje kanë qenë 1 euro e 40 centë, sot kanë mbërri 1 euro e 50, dhe 1.60 centë. Ka pasur rritje ekstreme. Për qytetarët tonë këto çmime janë shumë të shtrenjta, por kjo nuk po varet prej neve, kjo po ndodhë në tërë botën. Deri tash kur jeni duke folur çmimet janë për 50 dollarë në ton duke u shtrenjtuar. Për momentin nuk ka të ndalur. Kjo është duke ndodhur në gjithë botën. Organizata prodhuese OPEK ka reduktuar prodhimin, dhe lufta e cila është duke u zhvilluar në Ukrainë, këto kanë bërë që në histori të mos ketë çmime kaq të larta siç janë deri më tani”

Ai ka treguar se siç është duke vazhduar trendi, në Kosovë çmimet do të bëhen 1.70 centë deri 1.80 centë dhe deri në 2 euro. Ndërsa në vendet në rajon, në Shqipëri dhe Serbi do të arrijë deri 2.50 centë”.

Krahas vendimit të Qeverisë për marzhën e fitimit të naftëtarëve, kryetari Berjani ka kërkuar nga ekzekutivi që ta rishikojë vendimin, pasi sipas tij, është gabim dhe bankroton shumë kompani.

“Sot do ta kemi takim me ministren e Tregtisë, sa i përket vendimit të Qeverisë, është i gabuar, vendim i cili dëmton dhe i bankroton shumë kompani, ku do të mbesin shumë punëtorë pa punë. Mendoj se ky vendim duhet të rishikohet dhe besoj se do të kenë mirëkuptim, sepse importuesit marzha e fitimit iu ka dhënë 4 përqind, ndërsa shitësve me pakicë 6 përqind. Kjo është shumë gabim”.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka marrë vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale tregtare me shumicë dhe pakicë. Këtë vendim Qeveria thotë se e ka marrë për mbrojtjen e konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve.

Sipas vendimit të Qeverisë obligohen gjitha deponitë e pikat e shitjes së naftës të mbajnë në çdo kohë në stoqe së paku 5 për qind të kapaciteteve të tyre deponuese për qëllimeve të rezervave emergjent

Masat e vendosura janë:

1.1. Te shitësit me shumicë vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 4% të çmimit të shitjes;

1.2. Te shitësit me pakicë vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 6% të çmimit të shitjes.

Përmes këtij vendimi, Qeveria e Kosovës ka obliguar të gjitha deponitë dhe pikat shitëse të naftës dhe derivateve të naftës, të mbajnë në çdo kohë në stoqe së paku 5 % të kapaciteteve të tyre deponuese, për qëllime të rezervave emergjente.

Gjithashtu vendimi e obligon Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë respektivisht Inspektorati i Tregut Qendror dhe Lokal, Administrata Tatimore e Kosovës, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe organet e tjera të administratës shtetërore, për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij vendimi.

Ky vendim do të jetë fuqi që nga sot (2 mars) deri më 31 maj të këtij viti.

Kurse, Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, kanë dalë kundër vendimit të Qeverisë për kufizimin për rritjen e çmimit të derivateve të naftës.

Ata kanë paraqitur pesë kërkesa për qeverinë.

Kërkesat e Shoqatës së naftëtarëve:

Të pezullohet vendimi nga Qeveria

Kushtetutshmëria se a janë përmbushur kushtet ligjore nga neni 11 në të cilën thirret vendimi.

Mbi çfarë studimi është bërë përcaktimi i 6 për qind

Shoqata është e gatshme të japë kontributin për të hartuar një vendim të ri në të mirë të konsumatorëve dhe shoqatës.

Nëse nuk pezullohet vendimi do të shqyrtohet mundësia për pezullim të aktivitetit për periudhë 90 ditore.