Derbin e Londrës arriti ta fitonte Arsenali, teksa 3-1 mposhti Tottenham në një ndeshje ku nuk mungoi spektakli dhe emocionet në “Emirates Stadium”.

Pas kësaj ndeshje trajneri Antonio Conte ishte shumë i zhgënjyer për humbjen e parë në Premier League për këtë sezon, ndërsa nuk ka nguruar t’i hedhë fajin VAR-it për këtë disfatë.

“Të them të drejtën në Angli kjo pjesa e VAR është pak e vështirë sepse nga ndeshja në ndeshje nuk përdoret i njëjti standart. Ndonjëherë ka momente kur duhet kartoni i kuq dhe akordohet i verdhë, apo ndonjëherë kur është karton i verdhë, nuk jepet asnjë ndëshkim.

Gjyqtarët duhet të punojnë shumë në këtë aspekt, në Itali gjyqtarët mblidhen çdo të enjte dhe shohin video si një formë për t’u përmirësuar. Nuk e di nëse diçka e tillë aplikohet në Angli, por është një ide e mirë. Këtu niveli i futbollit është shumë i lartë dhe i tillë duhet të jetë edhe gjykimi apo VAR-i.

Çdo vendim gjatë ndeshjes duhet të jetë më i miri i mundshëm. Kartoni i Kuq “vrau” ndeshjen, ata shënuan të tretin më pas”, deklaroi Conte për pjesën e VAR-it.

Me tej trajneri italian foli edhe për pjesën e ndeshjes, duke thënë se për ta ishte çdo gjë e vështirë në përballje me Topçinjtë.

“Arsenal ishte një skuadër shumë sulmuese dhe e kishim të vështirë të mbronim ndaj tyre. Nëse ka diçka për të cilën mund të ankohem, ajo është pjesa e parë, ku mund të bënim më shumë dhe gabuam në disa raste pasimin e fundit.

Ndeshja nuk ishte e balancuar dhe më pas pjesa e dytë nisi me gol për ata, mund të bënim shumë më shumë në çdo gol që pësuam. Por, më pas erdhi kartoni i dytë, aty mbaroi ndeshja”, deklaroi trajneri italian. /f.a/abcnews.al