Mbi 80% të shërbimeve të Gjendjes Civile do të jenë online përmes një sistemi që jep siguri, mban larg korrupsionin, si dhe iu garanton qytetarëve shërbim cilësor me një klik përmes celularit të tyre. Këtë premtoi ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, nga foltorja e Kuvendit, ndërsa theksoi se aktualisht  janë 21 shërbime të Gjendjes Civile që merren online direkt nga celulari apo kompjuteri. Sipas tij, ky është një kapërcim i jashtëzakonshëm që krijon siguri dhe u jep fund pritjeve nëpër sportele.

Në lidhje me fushatën e vetëdeklarimit dhe regjistrimit të adresave, ministri i Brendshëm tha se adresën e plotë me 8 elemente sipas ligjit e kanë rreth 2.4 milionë shtetas shqiptarë, ndërkohë që vijon fushata e ndërgjegjësimit për qytetarët që nuk e kanë ende një adresë të saktë të regjistruar.

Digjitalizimi dhe procesi i modernizimit të shërbimeve publike është një instrument i pazëvendësueshëm jo vetëm për të mbajtur larg korrupsionin në zyrat e shtetit, por është një kapërcim epokal që sjell akses më të madh dhe më cilësor të qytetarëve në shërbimet publike. Vetëm me një adresë të saktë ke akses në shumë shërbime publike të cilat në masë të madhe ofrohen online”, u shpreh Çuçi.