Ndonëse deputeti demokrat Ferdinand Xhaferraj kishte thirrur një interpelancë me zv/kryeministrin Arben Ahmetaj përgjigjet i mori nga kryeministri Edi Rama në lidhje me dëmet nga tërmeti i 26 nëntorit dhe procesin e rindërtimit. Nga foltorja e Kuvendit, Rama u shpreh se deri në datën 26 nëntor, numri i familjeve që do të futen në shtëpi të re do të vazhdojë të rritet. Ai ftoi Xhaferrajn të jetë prezent në dorëzimin e këtyre banesave nga Durrësi në Laç dhe Tiranë. Rama tha se në Itali ka ende familje që jetojnë në rulotë edhe 12 vite pas tërmetit të ndodhur  atje.

“Çdo njeri ka të drejtën të gabojë. Të gabosh është njerëzore, Të këmbëngulësh në gabim është çnjerëzore. Uturi shpifjes dhe akuzash dhe bëtë edhe një gjest digjital këtu. Ka ndodhur diçka që ka tronditur të gjithë botën, pandemia. Kanë qenë muaj të tërë kur kantierët janë bllokuar dhe afatet do të shtyheshin. Ajo që më shqetëson më shumë nuk është ky aspekt. Mbi çfarë baze i ngrini të gjithë këto akuza dhe flisni për babëzi dhe makutëri. Shkollat kanë standarde dhe kritere. Preventiva.

Shkollat janë të zhvilluara si proces ndërtimi me gara. Garat kanë dosje. Mbi gjithë këto fakte mund të bëhen hulumtime dhe mund të nxirren konkluzione profesionale dhe jo si mjek popullor apo si akrobat popullor cirku. Është e shëmtuar që kjo të përbaltet në këtë farë feje pa asnjë lloj fakti. Shkollat janë aty. Kontrasti është i njëjtë si kontrasti mes të sotmes dhe mesjetës kur vjen puna tek të gjitha standardet. Ne nuk matemi ju sepse nuk mund të matet cilësia e diellit me errësirën. Me shumë vëmendje do ta mirëprisnim çdo lloj fakti dhe argumenti. Jo dokrra dhe të shara prej të dehuri në klub. Godinat e prishura kanë historikun e tyre të vlerësuar nga organet kompetente dhe nuk ka pasur fare nevojë aty për të mbajtur gërmadhat me muaj dhe vite. Juve sytë ju janë imunizuar nga plehrat, shëmtia dhe deformimi. Ndryshe nuk do ishit krenarë pa kthim për masakrën urbane që keni promovuar si mrekulli të tetë të botës.

Në kohën kur ju qeverisnit duhet të dilje me duart në hunë dhe në sy për të mos parë dhe për të mos marrë erë. Këtu nuk kemi çfarë diskutojmë. Kemi një konflikt estetik në atë që është edhe dallimi i madh mes civilizimesh. Numri i familjeve që sot kanë shtëpi është i madh dhe do të rritet në javën e fundit. Ju ftoj ju zoti Xhaferri të na bashkoheni në hapjen e dyerve të shtëpive deri në datën 26 nëntor ku ju do shikoni me sytë tuaja se si në Ishëm dhe jo shumë larg Durrësit ku është edhe Thumana, Laçi, Bubqi. Mund të vini me ne edhe në Lezhë. Tiranën ja ku e keni shkojmë bashkë edhe te 5 Maj këtu afër. Ka shumë gjëra për të cilat mund të ngrini pretendime por kësaj të tërmetit duhet t’i rrini larg. Është një ndër ndërmarrjet më të mëdha që do mbetet në histori. Në Itali njerëzit janë akoma në rulota pas 12 vitesh pas tërmeteve. Ndërkohë që këtu, nuk kemi luksin t’i lëmë njerëzit të presin, të gjithë do marrin atë që i takon”, tha Rama.