Biznesmeni italian, Davide Pecorelli është gati të paguajë për krimet e kryera në Shqipëri. Pas disa javësh ai ka thyer heshtjen duke shpallur gatishmërinë e tij për t’u kthyer në Tokën shqiptare për të vuajtur çdo dënim. Në ditët në vijim, në fakt, prokuroria e Pukës (vendi nga ku në fillim të janarit të këtij viti kishte inskenuar vdekjen sipërmarrësi me aktivitet mes Toskanës dhe Umbrisë) mund të kërkonte gjykimin ndaj Pecorellit për zjarrvënie të makinave dhe vjedhjen e eshtrave të një njeriu nga një varr. Këto janë akuza të cilat mund të bëjnë që biznesmeni të përfundojë në burg.
“Jam i gatshëm të përfundoj pas hekurave në Shqipëri, dua të kthehem, aty kam lënë miq dhe vende që dua. Nëse dënimi është i drejtë, unë do të paguaj për atë që më kontestohet”- thotë biznesmeni.
Në intervistën e dhënë për mediat italiane, si shprehet se ka kërkuar falje. “Po, meqë ra fjala, tashmë i kam kërkuar falje të gjithëve në Shqipëri, përfshirë kryetarin e bashkisë Pukë dhe në çdo rast të gjithë komunitetit. Fatkeqësisht kam bërë disa gabime: siç dihet tashmë kur mbërrita në Tiranë në janar, po kaloja një moment shumë të vështirë në jetën time. U përpoqa të bëja vetëvrasje dhe ai prifti që takova rastësisht më shpëtoi. Atëherë ju e dini historinë, periudha në bashkësinë e priftërinjve në Medjugorje ishte thelbësore: Unë do t’u jem mirënjohës atyre përgjithmonë”.
Por cfarë ka në plan që të bëjë tani? “Po, siç e kam theksuar disa herë: në këtë drejtim synimi im është të themeloj një shoqatë për të mbështetur ata që, si në rastin tim, po përballen me krizë për shkak të punës”. Por si është e vërteta e thesarit që ai tha se ka zbuluar? “Mund të ritheksoj vetëm se kam parë dy arkat me monedhat e arit në Montecristo. Tani jam me familjen, me 4 fëmijët e mi. Do të përpiqem t’i rikthehem jetës së përditshme”.