Personat e vënë nën akuzë për tenderin abuziv të uniformave të Policisë së Shtetit, ditën e neserme pritet që të ballafaqohen mes tyre. Burime nga institucioni i akuzës bëjnë me dije se ballafaqimi mes tyre do bëhet për shkak të pretendimeve të tyre, shumica e të cilëve kanë mohuar përgjegjësinë penale, apo se kanë përfituar nga ky tender.

Në lidhje me tenderin në deklarimet e tyre anëtarët e komisionit te vlerësimit të ofertave kanë deklaruar përpara hetuesve se përgjegjsia është edhe e zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Brendshme, ku sipas deklarimeve të tyre ato kanë pasur dijeni për tenderin që i kushtoi buxhetit të shtetit plot 28 milion euro. Gjithashtu Fax News mëson se ballafaqimet do behen mes personave të pandehur dhe atyre që janë marrë në pyetje për faktin se deklarimet e tyre nuk kamë qenë të njëjta duke akuzuar jo vetëm njëri-tjetrin po dhe zyrtarë të policisë dhe ministrisë.

Kujtojmë se Tenderi për uniformat e policisë u kundërshtua me anë te një shkrese edhe nga kryepolici Ardi Veliu por edhe kryetari i komisionit të vlerësimit të ofertave Ylber Pjetërnikaj. Referuar dosjes hetimore, gjatë hetimeve për këtë tender SPAK ka konstatur shkelje të rregullave të prokurimit publik, bërë nga anëtarë të Njësisë së Prokurimit si të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me titullarin e Organit Qendror Blerës, dhe si pasojë kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedurë prokurimi. Për këtë çështje nën akuzë janë vënë 9 persona, por pritet që në vazhdim numri I të akuzuarve të rritet pasi sipas burimeve SPAK i ka shtrirë hetimet edhe tek zyrtarë të tjerë që mund të kenë ndikuar në këtë tender.