Zjarri në magazinën e qendrës tregtare u shkaktua nga shkëndija elektrike e një neoni të vjetër. Ky fakt ka dalë në konkluzionet përfundimtare që kanë nxjerrë ekspertët e shërbimeve zjarrfikëse, në sajë të ekspertizës së kryer prej tyre.

ABC mëson se nga hetimet ka rezultuar që neoni ishte në gjendje jo të mirë dhe gjysmë i amortizuar dhe në pjesën më të madhe të kohës qëndronte i tejnxehur. Ngjitur me tavanin ku ishte vendosur neoni ndodhej edhe një raft me rroba sintetike që si pasojë e shkëndijës ato janë përfshirë menjëherë në flakë.

Përgjigja përfundimtare e ekspertizës ka dalë 10 ditë më parë dhe është dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës, institucion ky që po kryen hetimet e mëtejshme. Nga ana tjetër, edhe prokuroria ka marrë një ekspert të pavarur i cili do të vërtetojë nëse kabujt elektrikë në garazhin e qendrës tregëtare të modifikuar si magazinë, ishin ose jo të amortizuar.

Për mosmarrjen e masave për mbrojtjen nga zjarri, shërbimi zjarrfikës ka gjobitur me dy milionë lekë të vjetra pronarin e qendrës tregtare.

Pasditen e 24 marsit magazina u pushtua nga flakët për katër ditë me radhë, ku përveç dëmeve të mëdha materiale humbi jetën edhe i riu Arian Sala. /abcnews.al