Shqipëria i ka përmirësuar treguesit e punësimit si raport me veten ashtu edhe me Rajonin në këto tre dekada të tranzicionit, mirëpo vendi duhet të adresojë urgjentisht fenomenin e inaktivitetit tek të rinjtë bën thirrje Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO).
Që nga rënia e “perdes së hekurt”, si një nga vendet më të varfra në Europë, Shqipëria në dekadën e dytë të tranzicionit u klasifikua si një vend me të ardhura të mesme. Punësimi i Shqipërisë ka vazhduar të rritet. Vendi ka shkallën më të lartë të punësimit midis ekonomive të Ballkanit Perëndimor (67% në 2019).
Por shkalla e papunësisë së të rinjve është akoma e lartë (28% në 2019) dhe shkalla e lartë e të rinjve jo në arsim, punësim apo trajnim (26.6%) është një shqetësim i madh. ILO kërkon nga autoritetet që të trajtojnë më vëmendje këtë fenomen, pasi produktiviteti i të rinjve në moshë punë vë bazat për zhvillimin e vendit në të ardhmen në të gjitha aspektet.
Institucioni ndërkombëtar që mbikëqyr çështjet e punësimit vë në dukje se programet e tregut të punës në Shqipëri janë prezantuar vazhdimisht, por ato mbulojnë vetëm një përqindje të kufizuar të te papunëve (5.5% në 2017). Nga ana tjetër 42% e fuqisë punëtore është aktualisht e punësuar në bujqësi, kryesisht në punë me aftësi të ulëta dhe me produktivitet të ulët. Punësimi i lartë në bujqësi zbulon nevojën për ndryshime strukturore në tregun e punës, teksa bujqësia është burimi i madh i informalitetit dhe punës pa pagesë.
Sipas të dhënave të brendshme, në vitin 2019, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç as në punësim e as duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbëjnë 26,6 % të të rinjve gjithsej. Në këtë grup, 36,5 % e të rinjve janë të papunë. Pjesa tjetër janë jashtë tregut të punës për arsye se janë të dekurajuar (12,7 %), duke përmbushur detyra dhe përgjegjësi familjare (18,1 %) ose për arsye të tjera (32,7 %).
Duke krahasuar të rinjtë që janë as të punësuar as në shkollë apo trajnim profesional sipas gjinisë dhe statusit të tyre në tregun e punës, vihet re se meshkujt janë më aktivë në treg sesa femrat (45,3 % e meshkujve janë në kërkim të një pune dhe të gatshëm për të punuar, ndërsa tek femrat kjo përqindje është 28,9 %.
Për të nxitur punësimin tek të rinjtë ILO rekomandon një koordinim më efikas ndërmjet bizneseve të qëndrueshme që janë ofrues të punësimit, zyrave të punës dhe institucioneve të arsimit.
Anketimet rajonale të realizuara nga Banka Botërore kanë gjetur se, Shqipëria ka numrin më të lartë të firmave në vendet e Europës Juglindore (36%), që raportojnë se forca e punës nuk zotëron aftësitë që ato kërkojnë. Ndërsa statistikat kombëtare të tregut të punës tregojnë se 14% të të punësuarve nuk u përputhet profesioni me arsimin. Shkaku kryesor i këtij çrregullimi mbetet mungesa e orientimit të rinjve me nevojat e tregut të punës./Monitor