Qeveria po punon për të adresuar në mënyrë sistematike punësimin duke riorientuar sistemin e arsimit dhe trajnimit drejt nevojave të tregut të punës.
Arsimi dhe Formimi Profesional cilësor ku ndërthuret trajnimi teorik me praktikën në punë, sipas qeverisë, është një nga mjetet më të rëndësishme që do të përdorim për të rimëkëmbur ekonominë tonë pas pandemisë dhe për të siguruar kalimin në një ekonomi dixhitale dhe të gjelbër.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, Elira Demiraj bëri të ditur se sot 80% e studentëve që janë ende në shkollat profesionale janë të punësuar në tregun e Punës.
“Ne të gjithë jemi koshientë, që nga një ekonomi e kontrolluar, ku sektorët ekonomik prodhonin vende të caktuara pune si në energjetikë, turizëm, administratë shtetërore, kaluam në një ekonomi të hapur, ku edhe sektorët ekonomik kanë marrë hov të madh”, tha ajo.
Ne, vijoi Demiraj, po përgatisim krah pune profesionistë, por një i tillë kërkon që minimalisht 4 vite.
“Arsimi profesional nuk ka qenë një trend për të rinjtë, sepse ishte ajo çfarë ofronte tregu i punës më pas që dhe nuk e shihnin veten në perspektivën për të punuar në disa zanate që do të mund ti kompensonin nga ana financiare”, tha Demiraj .
Sipas Demiraj, përgatitja e një force pune për tregun e punës kërkon edhe një ndryshim të steriotipeve. “Duket një profesion jo i pëlqyer për të rinjtë, por siguron një pagesë të lartë në tregun e punës”, deklaroi Demiraj
Shqipëria ka sot numrin më të lartë të personave në tregun e punës që janë me moshë mesatare të re. 57 % e tregut të punës në Shqipëri vjen me moshë mesatare 30-31 vjeç. Po ashtu ofron arsim profesional falas dhe të rinjtë janë të aftë që në moshën 19 vjeç të hyjnë në marrëdhënie pune.
Në buxhetin e vitit 2021 për mbështetjen e arsimit profesional janë akorduar 3.3 miliardë lekë. Në të gjithë vendin janë 35 shkolla publike të arsimit profesional dhe janë të regjistruar 27 mijë nxënës. /a.a/