Nga Evald Serreqi

Sikur të flitej kaq shumë në emisionet televizive e të harxhohej kaq shumë energji në partitë politike për të instaluar njëherë e mirë demokracinë e ngritur shtetin modern shqiptar gjërat do ishin krejt ndryshe. Demokratët e opozitarët në përgjithsi duhet të kuptojnë një sekondë e më parë se kanë nevojë për t’u bashkuar. E ketë nuk mund ta bëjnë përçarësit.

Ndërkohë që foltorja po i afrohet Elbasanit, jam i mendimit që si proçes edhe pse parimisht i nevojshëm prej kohësh (mundësisht që pas humbjes së vitit 2017) ai po keqpërdoret. Në mendimin tim, palët protagoniste të fillimit të saj, Berisha dhe Basha duhet të distancohen nga pozicionet e tyre, e të gjejnë një figurë bashkuese, e cila ka treguar dinjitet, e pa kapur në korrupsion, me eksperiencë politike. Nga deputetët e parlamentit e figurat e spikatura të së djathtës Z. Dashamir Shehi mund ta luante më së miri këtë rol. Shtetar, gjakftohtë në këtë debat, i djathtë në gen, i pakorruptuar dhe me goxha eksperiencë në politikë ai mund të ishte një amortizues i çdo debati emocional, dhe pengues i çdo keqpërdorimi. Mund të ketë edhe figura të tjera. Proçesi le të marrë të gjithë kohën e nevojshme për t’i dhënë mundësinë çdokujt që ka ambicje të merret me politikë të afrohet e të japi kontributin e tij. Turma duhet të fillojë të heshtë e të dëgjojë ato që, kanë realisht diçka për të thënë për të kaluar këtë situatë e jo të rreshtohet në mënyrë të verbuar naive apo dinake për t’i treguar si Berishës apo Bashës gatishmërinë e tyre për t’u sakrifikuar në emër të udhëheqjes.

Votuesi opozitar që bën diferencën e mund ta çojë PS-në në opozitë, është në kërkim të një alternative që shkon përtej Berishës e Bashës. Atij i intereson me urgjencë mbyllja përfundimtare e tranzicionit, ndërtimi i shtetit ligjor dhe integrimi i Shqipërisë në BE, proçese që me sa duket drejtuesve të deritanishëm të politikës nuk ju interesojnë!/Egnatia news