Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me burgim të përjetshëm Ardjan Çapjan, Florenc Çapjan dhe Olsi Lekun, të akuzuar për vrasjen e Gentian e Nezir Beqirit (babë e bir) në vitin 2012.

Për bashkëpunëtorin e drejtësisë Ervis Bardhi, GJKKO ka caktuar 15 vite burg, nga 6 vite që kërkoi prokuroria. Gjithashtu GJKKO ka caktuat nga 25 vite burgim për Klajdi Dokoli dhe Etien Çani.

Florenca Çapja është ende në kërkim pasi akuzohet si porositës i vrasjes së dy personave, babë e bir.

Si ndodhi vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit? 

Ata u vranë në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri, allias Ardian Meta ishte në ‘arrest shtëpie’ dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë, pasi akuzohej si autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005, i cili dyshohet se u pagua nga fisi i Çelajve. 

Vrasja e Gentian Beqirit, është kryer në ambientet e brendshme të banesës së tij, që ndodhet në lagjen “Sporti i vjetër” në Elbasan, ku teksa qëndronte i shtrirë në krevat pasi ishte i paralizuar, është qëlluar për vdekje me 7 plumba të një pistolete me silenciator dhe më pas mbytën edhe babanë e tij Nezir Beqiri. 

Kjo ndodhi ndërkohë që jashtë derës së shtëpisë ruanin dy efektivat e policisë, të cilët u akuzuan më pas për “Shpërdorim detyre”. 

Të arrestuar për këtë ngjarje janë i penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë Ervis Bardhi, Olsi Leku, Etjen Cani, Klajdi Dokoli.