Apeli i Posaçëm ka denuar me 8 vite burg ish-shefin e Policisë së Dhërmiut, Sokol Bode të akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike dhe grup të strukturuar kriminal. Edhe pse Bode kërkoi të shpallej I pafajshëm në apel, gjykata la në fuqi vendimin e dhënë nga shkalla e parë në prill të vitit të kaluar që e dënoi atë me 8 vite heqje lirie.

Sipas prokurorisë, Bode rezulton I përfshirë në trafikun e lëndëve narkotikëve të kryer nga organizata kriminale e drejtuar nga vëllezërit Moisi dhe Florian Habilaj. Këta të fundit u arrestuan në tetor të vitit 2017 nga autoritetet italiane dhe u dënuan në qershor të 2019-ës.

Ata u arrestuan nga policia Italiane teksa po tentonin të trafikonin një sasi të konsiderueshme lënde narkotike nga Shqipëria drejt Italisë. Në të njëjtën kohë nisën hetimet edhe në Shqipëri, dhe referuar hetimeve italiane përfundoi në burg ish-ministri I brëndshëm Saimir Tahiri, që më pas dënua me 3 vite e 4 muaj burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Ndërkohë akuzat e SPAK ndaj Tahirit për trafik narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal u rrëzuan si të pa provuara. Bashkë me ish-ministrin nga SPAK u ngritën akuza edhe për punonjësin e policisë Gjergji Kohila dhe për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, ky i fundit i dënuar për shpërdorim detyre./abcnews.al/