Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, në një komunikim me mediat, denoncoi atë që ai e quan “rrëmbim të zyrave të shtetit dhe të dhënave personale të qytetarëve” nga Partia Socialiste.

“Jemi në këtë komunikim të pazakontë në këtë orë, pasi faktet njëri pas tjetrit, njëri më tronditës se tjetri, po tregojnë qartë se si batakçinjtë humbës të Rilindjes janë lëshuar të rrëmbejnë zyrat e shtetit, të dhënat personale të qytetarëve, të përdorin zyrat elektorale të partisë që kanë zëvendësuar tashmë shtetin, vetëm nga paniku i humbjes.

Së pari, po ju demonstrojmë videon se ç’ndodh me personat, me të dhënat e tyre private, e si zyrat e Partisë Socialiste u futen edhe në shtëpi dhe numrat privatë të tyre, duke përdorur të dhënat private të qytetarëve, të cilat zotërohen vetëm nga institucionet shtetërore.

Pra të nderuar qytetarë, shikoni sesi në mënyrë skandaloze të dhënat personale që janë pronë e institucioneve, në rastin konkret KQZ-ja përmendet qartë, përdoren dhe janë pronë e Partisë Socialiste. Në vend që t’i shërbejnë ligjit, rregullave të shtetit, Kodit Zgjedhor e të tëra, këto janë të gjitha në duart e kësaj partie, e cila në panikun e humbjes i përdor ato.

Në mënyrë të qartë e të prerë, i kërkoj KQZ-së dhe Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të nisin një hetim të menjëhershëm dhe të thelluar dhe të gjithë përgjegjësit të nxirren para ligjit. Gjithashtu të mbahet qëndrim ligjor edhe ndaj Partisë Socialiste alias Rilindjes”, u shpreh Vasili.

Vasili u shpreh se zyrat e shtetit janë kthyer në zyra elektorale të PS.

Gjithashtu të nderuar qytetarë pak çaste më parë, televizioni Ora News ka bërë publike fakte tronditëse, sesi zyrat e Partisë Socialiste vendosen në dispozicion dhe kthehen në zyra të gjendjes civile. Maskarenjtë e Rilindjes marri kartat e identitetit për të bërë regjistrime e për të transferuar qytetarët fiktivisht, në mënyrë artificiale, nga rrethet në Tiranë, për të shtuar mundësinë artificiale të votave në Tiranë. Disa mijëra qytetarëve u është bërë një gjë e tillë, vetëm në një zonë të caktuar të Tiranës”, tha Vasili, i cili ftoi Prokurorinë të nisë menjëherë hetimet.

“Koha nuk pret. Prokuroria shqiptare që nga ky minutë, duhet të fillojë hetimet kryesisht, duhet të bllokojë të gjithë zyrat elektorale të Partisë Socialiste, të cilat funksionojnë tashmë si banditë shtetërorë që rrëmbejnë të gjithë të dhënat. Janë ata që heqin gjoba dhe vënë gjoba. Janë ata që regjistrojnë dhe zyrat e gjendjes civile, zyra që u takojnë të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim partiak. Janë zyra shteti, janë transformuar përfundimisht në zyra elektorale të PS“.

Ora news