Seanca e parë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për inceneratorin e Elbasanit ka dështuar në themel.

Gazetari i ABC News, Ermal Vija raportoi se shkak u bë mungesa e dy avokatëve, përkatësisht i Etleva Kondit, e cila ishte e pranishme, por kërkoi të ishte i pranishëm avokati që ndodhej jashtë Shqipërisë dhe avokati i kompanisë “Albtek Energi shpk”.

“Sot ka qenë seanca e parë në themel sa i takon hetimeve të zhvilluara për inceneratorin e Elbasanit, ku të pandehur janë marrë një sërë zyrtarësh, përfshirë ish ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe ish deputetin Alqi Bllako. Seanca e sotme nuk është zhvilluar për shkak se Etleva Kondi, një nga personat e arrestuar, e cila vazhdon te hetohet në masën e “arrestit shtëpiak”, nuk ka pasur avokat mbrojtës dhe gjykata vendosi që të shtyjë seancën për në datën 7 prill, ora 14:30. Pritej të ishte një seancë e rëndësishme sa i takon vijueshmërisë së procesit gjyqësor për Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon, pasi në seancë paraprake, ata i kanë kërkuar  gjykatës që procesi ndaj tyre të zhvillohet me gjykim të shkurtuar”.

Prokuroria përfaqësohej nga Klodian Braho që ka qenë edhe pjesë e seancës paraprake.

Në themel, me autorizm të kryeprokurorit të SPAK Altin Dumanit, i është bashkuar përfaqësimit të akuzës edhe Arben Kraja. Seanca e radhës u caktua me 7 prill, në orën 14:30, ndërkohë që pas kësaj date, procesi do të zhvillohet çdo të enjte në orën 09:30./abcnews.al