Detaje të reja tronditëse kanë dalë nga jeta e këngëtares së famshme, Britney Spears. Mësohet se martesa më e shkurtër e saj ka zgjatur vetëm 55 orë. Ka qenë pikërisht nëna e saj, Lynne, që e ka detyruar yllin e muzikës që të anulonte dasmën me mikun e fëmijërisë, Jason Alexander.

Kështu ka zbuluar së fundmi avokati i tyre i divorcit, Mark Goldberg. Ky i fundit tashmë është në pension, por nuk ka lënë pa folur për dasmën dhe ndarjen e bujshme të çiftit.

Sipas Mark, as këngëtarja dhe as Alexander, nuk dëshironin që martesa e tyre të prishej. Ai ka shtuar se i ka detyruar nëna e Britney-t dhe ekipi menaxhues i këngëtares së famshme.

“Ishte e ëma ajo që ndërhynte në jetën e vajzës së saj”, tha Goldberg për “Daily Mail”. Por nuk ka folur vetëm avokati në lidhje me këtë, pasi edhe ish-bashkëshorti ka vendosur që të tregojë versionin e tij.

Jason është shprehur se ishin disa forca kontrolluese që i detyruan t’i jepnin fund martesës.

“Disa burra veshur me të zeza, së bashku me nënën e saj dhe pjesëtarë të tjerë të familjes erdhën dhe na bënë të firmosnim një dokument nën presion për t’i dhënë fund martesës. Ne nuk donim ta anulonim. Ata na gënjyen. Ajo ishte e gjitha për të kontrolluar Britney-n dhe paratë e saj”, është shprehur Jason.

“Daily Mail” shkruan se në janar të vitit 2004, Spears u martua me Alexander-in në Las Vegas. Betimet u anuluan 55 orë më vonë nga një peticion që thoshte se Britney nuk ishte plotësisht e vetëdijshme për vendimet që po merrte.

“Ajo ka jetuar një makth shumë më keq sesa çdokush mund ta imagjinojë, për shumë më gjatë sesa njerëzit mund ta kuptojnë”, ka vijuar rrëfimin ish-bashkëshorti i saj.

fax