Fermerët e zonës së Devollit po përballen me humbje të mëdha në pemëtari pas ngricave të forta që goditën rajonin në fillim të muajit maj. Temperaturat e ulëta kanë dëmtuar pothuajse plotësisht pemtoret me mollë, qershi dhe kumbulla në shumë fshatra të zonës.
Sipas fermerëve, dëmi në disa raste arrin deri në 95-100%, ndërsa frutat e sapoformuara janë ngrirë dhe kanë nisur të bien në tokë. Kjo situatë ka lënë pa prodhim dhjetëra familje që jetojnë vetëm nga frutikultura.Përveç humbjes së të ardhurave për këtë vit, fermerët duhet të përballojnë edhe kostot për mirëmbajtjen e pemëve për sezonin e ardhshëm. Ata thonë se pemët kërkojnë trajtim të vazhdueshëm, pasi në të kundërt rrezikojnë të preken nga sëmundje që mund të dëmtojnë edhe prodhimin e vitit tjetër.
Në shumë pemëtore të Devollit situata paraqitet e rëndë, ndërsa fermerët shprehen se po përballen me një nga sezonet më të vështira të viteve të fundit./top channel






