Ditën e djeshme Prefekti i qarkut të Lezhës, Gjokë Jaku, përmes një postimi në rrjetet sociale njoftoi se kishte dorëzuar dorëheqjen nga posti që mbante për më shumë se 3 vite. Në statusin e tij të dorëheqjes, Jaku citoi Martin Luther King, i cili ka thënë se “Jeta jonë fillon të mbarojë ditën kur heshtim përballë gjërave që kanë rëndësi”.

Disa ditë më parë Gjokë Jaku kishte denoncuar rritjen e tendencës së “shtëpive të barit” në qarkun e Lezhës, pasi në këtë qark për këtë vit janë kapur 3 të tilla dhe janë arrestuar për shpërdorim detyre 15 punonjës të OSHEE-së.

Ai shprehej i bindur se në këtë veprimtari kriminale janë të përshirë dhe përfaqësues të shtetit siç janë punonjësit e OSHEE. “Së fundmi po shohim tendencën për të kthyer banesat dhe bodrumet në qendra të kultivimit të bimëve narkotike. Në çdo rast që ambienti është përshtatur për kultivim dhe furnizohet me energji elektrike pa u shqetësuar nga strukturat e elektrikut, pa dyshim që i pari që duhet të shoqërohet duhet të jetë punonjësi i OSHEE. Nuk ka mundësi, o janë në punë dhe kontrollojnë se ku shkon energjia elektrike, ose nuk janë në punë, apo më keq akoma, bëhen palë me elementët që ushtrojnë këtë lloj veprimtarie kriminale”, ishte shprehur Jaku.

Ai ka akuzuar edhe Policinë e Prokurorinë që sipas tij nuk i kanë trajtuar dhe hetuar siç duhet të rastet e kultivimet të bimëve narkotike, ndërsa tha se të përfshirë në këtë veprimtari kanë qenë edhe zyrtar të shtetit.

“Dua ta them që në dijeninë time, numri i rasteve që është hetuar me themel dhe kanë shkuar përpara drejtësisë është shumë i kufizuar në raport me masën e bimëve narkotike që janë gjetur. Kjo është përgjegjësia e Prokurorisë, mbase edhe e policisë për ‘shpërdorim detyre’ janë lënë nga gjykata në masën e sigurisë detyrim paraqitje, ndërsa në vazhdimësi kanë mohuar të kenë pasur dijeni apo bashkëpunuar me kultivuesit e drogës”, shprehej Jaku disa ditë më aprë.