Babë e bir janë proceduar teksa një tjetër është shpallur në kërkim pasi kanë dhunuar përgjegjësin e zyrës së Kadastrës në Mat.

Ndërkohë i lënduar ka mbetur edhe kryetari i njësisë administrative Rukaj, i cili ka ndërhyrë për të neutralizuar konfliktin.

Shkak për sherrin është bërë regjstrimi i një prone.

Në drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Njoftimi i policisë

Mat

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, pas marrjes së njoftimit për një konflikt mes disa shtetasve, në qendër të qytetit të Burrelit, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Mat, disa shtetas të përfshirë në këtë konflikt.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat kanë vënë menjëherë në dijeni prokurorin e gatshëm të Prokurorisë së Dibrës, për këtë konflikt, dhe në drejtimin e kësaj prokurorie, kanë kryer të gjitha veprimet e para procedurale.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, ka nisur procedimi penal për shtetasit S. R., 49 vjeç dhe E. R., 21 vjeç (babë e bir), si dhe për shtetasin A. M., 21 vjeç, i cili është shpallur në kërkim.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 07.05.2023, rreth orës 22:00, në qytetin e Burrelit, kanë goditur me grushte dhe me mjete të tjera, për shkak të detyrës, shtetasin H. S., me detyrë përgjegjës i Zyrës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, dega Mat, i cili ka pësuar dëmtime të lehta fizike.

Si pasojë e këtij konflikti, ka mbetur i dëmtuar dhe shtetasi E. S., 36 vjeç, banues në Burrel, me detyrë kryetar i njësisë administrative Rukaj, i cili ka ndërhyrë për të neutralizuar konfliktin.

Nga hetimet e kryera dhe nga deklarimet e marra, ka rezultuar se shtetasi S. R. i ka kërkuar më parë, shtetasit H. S., që t’i regjistronte në emër të tij, një pronë e cila ishte në proces gjyqësor.

Gjithashtu, është shoqëruar në Komisariat dhe është marrë në pyetje mbi rrethanat e këtij konflikti, shtetasi A. D., i cili pas dhënies së deklarimit, është lënë i lirë.

Në drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.