Stresi dhe sindromat e ankthit vitet e fundit konsiderohen botërisht si shqetësimet më të përhapura dhe në rritje të vazhdueshme. Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka cilësuar si “e keqja e shekullit”.

Bazuar në statistika mund të themi se tashmë është kthyer në një epidemi.

Shoqata Amerikane e Ankthit dhe Depresionit bazuar në të dhënat burimore dhe në tërësinë e simptomave që merren në konsideratë ka vlerësuar se rreth 18 % e popullsisë amerikane, (40 milion amerikanë) vuajnë nga të paktën një shqetësim i ankthit.  Edhe më pranë nesh, në Itali, përafërsisht 1 në 3 italianë është në situatë ankthi dhe gjatë jetës së tij trajtohet me ansiolitikë (medikamente kundër ankthit).

Sipas një studimi të realizuar nga Instituti Max Planck pranë Universitetit Politektik të Drezdenit, shoqëria  gjendet në një rreth vicioz, sepse kontaktet jetësore dhe profesionale me njerëz që janë në gjendje ankthi shtojnë tek individët “e shëndoshë” nivelet e Kortizolit në gjak.  Ky është hormoni shkaktar i stresit dhe rritja e nivelit të tij në organizëm rrit rrezikun e shfaqjes së patologjisë së ankthit.

Stresi dhe Ankthi shpesh përdoren si sinonime, por në të vërtetë nuk janë të tillë.

Sipas përkufizimit të S.Cohen, stresi psikologjik ndodh kur një individ percepton se “kërkesat e ambientit që e rrethon i tejkalojnë aftësitë e tij përshtatëse”.

Termi Stres do të thotë “shtypje” dhe përdoret në mjekësi si analogji me fizikën, tek e cila shënon shtypjen që i aplikohet një materiali për t’i provuar rezistencën.

Stresi mund të shfaqet në forma të ndryshme, si: lodhje, shqetësime të gjumit, irritim, shtim ose humbje në peshë, dhimbje koke, vështirësi në përqëndrim, ankth, panik etj.

Këto simptoma mund të paraqiten në jetën private ose të jenë të kufizuara në ambientin e punës.

Faktorët stresues mund të jenë:

  • të rëndë dhe akutë (si: humbja e një personi të dashur, një aksident rrugor)
  • të lehtë (trafiku)
  • kronikë (ambient pune garues, situata familjare të komplikuara, një sëmundje kronike).

Në fizikë termi “elasticitet” shënon aftësinë e një materiali për të përthithur një goditje pa u thyer. Ky term lidhet shpesh edhe me stresin. Pa mbështetjen e një faktori mbrojtës, elementet e jashtme stresuese mund të na “thyejnë”. Por, nëse kemi ndihmë profesionale, mund të arrijmë ta analizojmë situatën në mënyrë alternative, të vlerësojmë strategji të ndryshme “Coping” e të riorganizojmë veprimet dhe pritshmëritë tona.