Revolta qytetare hyn sot në ditën e saj të 39. Edhe këtë pasdite, qytetarët do të rikthehen para Kryeministrisë, të vendosur për të vijuar protestën që prej më shumë se një muaji kërkon largimin e Edi Ramës dhe fundin e modelit politik që, sipas tyre, ka mbajtur peng vendin.
Ajo që nisi si një reagim kundër projektit në Zvërnec është kthyer në një revoltë të gjerë kundër kastës politike, me kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndërtimin e një sistemi të ri politik.
Edhe sot pritet të dëgjohen thirrjet që kanë shoqëruar protestën prej javësh, si “Rama jepe dorëheqjen”, “Rama ik”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Ju erdhi fundi”, “Revolucion”, “Shqipëri e re” dhe “Atdheu është i yni”, ndërsa organizatorët kanë përsëritur se protesta do të mbetet paqësore.
Gjatë ditës së djeshme, protestuesit ritheksuan kërkesat që i konsiderojnë të panegociueshme: dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore, reformimin e sistemit politik dhe shfuqizimin e ligjeve që, sipas tyre, favorizojnë interesat klienteliste.
Në podium u bënë edhe akuza për përdorimin e fondeve publike për koncertin e Kanye West, ndërsa u njoftua një protestë kombëtare më 11 korrik, në ditën kur është planifikuar zhvillimi i koncertit në Tiranë.






