Miratimi i procedurës së përshpejtuar me 62 vota pro dhe 19 kundër për projektligjin e Porti të Durrësit është shoqëruar me debate të ashpra në Kuvend mes mazhorancës dhe opozitës.

Kreu i qeverisë  e quajti opozitën të shitur dhe shtoi se buxheti është i gjithi i lidhur me luftën që për opozitën nuk ekziston.

Rama: Një pjesë e madhe e juaja është bedel që nuk kuptoni se çfarë bëni dhe vazhdoni i bini vendit tuaj sa iu ha dora dhe sa iu mban ajo gojë që e keni komplet të shkëputur nga truri. Ne jemi këtu për të përballuar goditjen që është edhe arsyeja e asaj lufte. Putini nuk po e bën këtë luftë për të marrë ca copa nga Ukraina, por për të gjunjëzuar Perëndimin, bashkësinë euroatlantike dhe për të ndryshuar ekuilibrat e kësaj bote. Ju i bëni hije kot kësaj toke. Ju do të dilni siç hytë, kastravec. Kështu do dilni ju, siç hytë. Problemi këtu nuk jeni ju se jeni bedelë. Sulmoni si llaxore të marra, të mbetura rrugëve nëpër lagje që kanë humbur shtëpinë se kanë pirë gjithë natën. Këta jeni ju, megjithatë ajo që ka rëndësi është që shqiptarët ta kuptojnë.

Duke iu drejtuar me tone të ashpra opozitës, kryeministri i quajti të pa fe dhe pa Atdhe. Ndërsa deputeti demokrat Dashnor Sula i bërtiste nga vendi “turp të kesh”, Rama e quajti “gjel deti Peqini.”

Ju jeni ca të mbaruar, ca të pafytyrë. Ju nuk keni as fe, pa Atdhe, jeni pa din e pa iman, ja këta jeni ju.  Akuzoni për aferë një prej investitorëve më të mëdhenj! Ju jeni paguar me para ruse për të rrëzuar qeverinë e vendit tuaj. Jeni ca bedelë, që s’keni as sy për të parë e vesh për të dëgjuar.”