Sot në Tiranë janë vendosur kazanët e rinj të mbeturinave, të cilët sistemohen në nëntokë. Kjo formë e menaxhimit të mbetjeve u prezantua nga kryeministri Edi Rama, por a kopjoi kreu i qeverisë projektin e Lulzim Bashës?

Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka nxjerrë sot një video të tetorit 2020, ku gjatë një debati televiziv kryeministri Rama ironizoi projektin e Bashës të vitit 2014  për vendosjen e kontejnerëve në nën tokë.

Basha krah videos të publikuar në Facebook shkruan: “ Një nga projektet që pengoi sapo u bë kryeministër, për t’i hapur rrugë vjedhjes së shekullit me inceneratorët”.

Po çfarë ka deklaruar Rama gjatë intervistës në Opinion, duke ironizuar Bashën dhe projektin e tij?

“Ai do të bëhet kryeministër, flet broçkulla, do i fusja plehrat në nën tokë thotë, do fuste kontejnerët në tokë. Ai nuk di ça flet”, shprehej Rama.

Ndërsa sot, kreu i qeverisë prezantoi pikërisht këtë projekt, ku kazanët e mbeturinave në Tiranë vendosen në nën tokë.

“Pastrimi është civilizim. Në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, më në fund edhe në Tiranë hidhet hapi i parë drejt teknologjisë së mbledhjes së mbetjeve në qytet me kazanë të rinj nëntokësor, që nuk ndotin e as vandalizohen dot dhe që zbrazen me një mjet të posaçëm, duke i hapur gjithashtu rrugën ndarjes së mbetjeve në burim”, shkruan Rama.

Po çfarë parashikohej ne projektin e Bashes te vitit 2014?• Brenda një viti, të gjithë kontenierët e plehrave brenda Unazës së Vogël të Tiranës do të ishin nëntokësorë dhe të diferencuar;• Ky shërbim do të shtrihej në të gjithë qytetin e Tiranës brenda tre vitesh nga nisja e kontratës së sipërmarrjes;• Nuk do të kishte asnjë kosto shtesë për qytetaret;• Për këtë projekt nuk kërkohej asnjë lek nga qeveria, kërkohej vetëm autorizimi për Bashkinë e Tiranës të hapë procedurat e koncesionit;• 15 kompani shprehën interes për marrjen me koncesion të këtij shërbimi, mbledhjen përfshirë riciklimin, transportim si dhe trajtimin e tyre në venddepozitim.