Ditën e djeshme kompania e njohur farmaceutike dhe bioteknologjike, Moderna, njoftoi se po punon për krijimin e një vaksine e cila do të jetë në gjendje të kryejë një funksion të dyfishtë: kundër Covid dhe kundër gripit të zakonshëm.

“Sot ne po shpallim hapin e parë në programin tonë të ri të vaksinave me një dozë të vetme që kombinon një përforcues kundër Covid dhe një përforcues kundër gripit” – tha CEO i Moderna Stéphane Bancel në një deklaratë për mediat. Ende nuk ka detaje se kur do të fillojnë provat klinike ose sa shpejt vaksina do të jetë në dispozicion për publikun e gjerë.

Moderna, një kompani relativisht e panjohur dikur, mori famë në të gjithë botën kur u bë firma e dytë e cila u miratua për prodhimin e vaksinës Covid në dhjetor të vitit 2020 për personat 18 vjeç e lart. Aksionet e Moderna-s u rritën me rreth 5% pas njoftimit se po punon për prodhimin e një vaksine të kombinuar kundër gripit dhe Covidit.