Parlamenti kinez do të shqyrtojë legjislacionin për ndëshkimin e prindërve nëse fëmijët e tyre shfaqin “sjellje shumë të keqe” ose kryejnë krime.

Në baze të ligjit të propozuar për promovimin e edukimit familjar, prindërit do të qortohen dhe do të urdhërohen t’i nënshtrohen programeve udhëzuese për edukimin familjar nëse prokurorët konstatojnë sjellje shumë të keqe ose kriminale tek fëmijët nën kujdesin e tyre.

Sipas mediave te huaja, Draft ligji për promovimin e edukimit familjar, i cili do të rishikohet në seancën e Komitetit të Përhershëm të Kongresit Popullor këtë javë, gjithashtu u kërkon prindërve të caktojnë kohë për fëmijët e tyre për të pushuar, luajtur dhe ushtruar.

Pekini ka ndërmarrë një nismë të tillë ligjore për shkak të varësisë që kanë paraqitur të rinjtë kinezë kundrejt lojërave në internet dhe adhurimit të yjeve të showbizit.

Ministria e Arsimit e Kinës gjithashtu ka kufizuar lojërat për të miturit në vetëm një orë gjatë të premtes, të shtunës dhe të dielës dhe gjithashtu ka ulur numrin e detyrave të shtëpisë si dhe ka ndaluar mësimin pas shkollës për lëndët kryesore gjatë fundjavës dhe festave, pas shqetësimit për barrën e madhe akademike të fëmijëve të mbingarkuar.