Habia më e madhe në këtë vend qëkur jam kthyer nga studimet e mia në Romë është se nuk më habit më asgjë!
Nuk paskan të sosur çudirat e vulosura në mënyrë trashanike e qesharake nga liderë peng-mbajtës, që firmat e vulat i lëshojnë si ‘lopa bajgën’, pa menduar për pasojat.
Një lajm i hedhur si shashkë në një portal lokal lajmesh, se ish-kryetari i grupit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Këshillin Bashkiak Elbasan paska qenë zëvendësuar nga një këshilltare e grupit të Partisë Demokratike, znj. Bjanka Çopja (asokohe e Lulzim Bashës), në drejtim të opozitës, të bind se tashmë në PD e vetmja gjë që mungon është demokracia dhe ligjshmëria.
Ky vendim është marrë në mënyrë arbitrare nga Flamur Noka, me një urdhër të keqshkruar, ku citohen neni 33 i Ligjit 139/2015 për Vetëqeverisjen Vendore (që flet për administrimin e shërbimeve publike të qarkut dhe jo për Këshillat Bashkiakë) dhe neni 48 i Statutit të PD-së për kompetencat e kryesisë, të cilat kufizohen në miratimin e listave të këshillave bashkiakë para zgjedhjeve dhe jo pasi janë mandatuar.

Kuptohet që shkeljet e statutit të PD-së janë bërë praktikë e këtij individi dhe lëpirësve të tij, sa herë që bien ndesh me interesat e tyre personale, por statuti i një partie kurrsesi nuk mund të dominojë forcën e autonomisë vendimmarrëse të ligjeve dhe rregulloreve të institucioneve vendore, siç janë bashkitë dhe këshillat bashkiakë.
Neni 22, pika 6 e Rregullores së KB dhe më pas nenet 23 dhe 24, të mbështetura në Ligjin 139/2015 dhe Kushtetutë, përcaktojnë qartë se një këshilltar i një grupi tjetër partiak duhet të japë dorëheqjen me shkrim dhe të presë miratimin për të hyrë në një grup tjetër, jo pa kaluar periudha 6-mujore dhe pa miratimin me votë nga këshilltarët e grupit ku aspiron të aderojë.
Këshilltarët e grupit të Lulzim Bashës ende sot vijojnë zyrtarisht të qëndrojnë në grupin e tyre.
Bashkimi me koalicionin “Bashkë Fitojmë” e me PD-në e Sali Berishës sot bëhet në tavolina kafeneje për të maksimizuar pazaret me partinë në pushtet, por asnjë shenjë zyrtare e bashkimit real me dokumentacion nuk i është drejtuar Kryetarit të Këshillit Bashkiak.
Është e turpshme sesi nga ky proces përjashtohen nga vendimmarrja edhe këshilltarët e Partisë së Lirisë, falë së cilës hymë në zgjedhje me kandidatë në 2023, pasi ishim pa vulë e logo.
Në fakt, Flamur Noka harron që në këtë sens humbet dhe legjitimitetin për të marrë vendime.
Zoti Noka, nëse vërtet ajo vulë të bën të ndihesh i fuqishëm, sot që kemi vulë e logo (për marrjen e të cilave kam ndenjur një vit poshtë shtëpisë së liderit Berisha dhe katër vite protestash, ndërkohë që kjo zonja nuk e pranonte Berishën si kryetar e votonte Gledian Llatën), ta kishe përdorur për të dalë me përfaqësues të PD-së në 5 bashkitë që fali para një jave! Këtu qëndronte tagri yt dhe pinte ujë vula jote!
Ky është një precedent i rrezikshëm që minon demokracinë funksionale dhe autonominë e institucioneve vendore, ku individë kapriçiozë e pazarxhinj tentojnë të prekin edhe ato qeliza ku bëhet lufta ballore me pushtetin, siç janë Këshillat Bashkiakë.
Shpejt do ta kuptosh, o Penelopa e demokratëve, që thur ditën e shthur natën shpresat e tyre, që ligji nuk shkelet dhe se akoma ka njerëz që kauzave të ligjshmërisë u shkojnë deri në fund!
Kjo jo se kanë pushtet absolut, por se kanë moral, integritet, profesionalizëm dhe të drejtën udhërrëfyese.
Një këshillë miqësore:
Në vazhdimësi, kur firmos shkresa, kujdesu të jenë formuluar nga juristë të mirëfilltë, jo bufonë inatçorë që hedhin gurin e fshehin dorën!






