Gjykata e Posaçme ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 5 persona në kërkim për aferën e incineratorit të Fierit.

“Arrest me burg” është dhënë për Arben Dervishaj, Regan Merdani, Gentian Zifla, Robert Shabani, Enver Sheshi

Avokati i Arben Dervishaj nuk u surprizua kur u mor ky vendim ndërsa përpara gazetarëve foli me ironi.

“Sugjeroj të ndërmarrim një nismë ligjore ku të propozojmë ndryshim.  Masë shtrënguese të jetë vetëm burgu, burgu, formatin e bëj. Paraqesim në kuvend dhe të heqim masat e tjera shtrënguese” u tha ai gazetarëve.

Sipas SPAK Arben Dervishaj, në cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve të shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., ka miratuar dhe më pas pasyqyruar e dorëzuar pranë Ministrisë së Mjedisit/Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, situacione për punime fiktive, shërbime që nuk janë kryer dhe pajisje që nuk janë realizuar në zbatim të kontratës koncesionare, ku janë siguruar përfitime të paligjshme në vlerën 4,000,000 (katër milion) Euro.

Gjithashtu, arkitekti dhe ndërtuesi Arben Dervishaj, ka marrë përfitime të parregullta nga shtetasi Klodian Zoto, që kanë konsistuar në përfitime të vlerës së udhëtimeve të tij private për jashtë shtetit, biletave të avionit, qëndrimit në hotele dhe të biletave të ndeshjeve të futbollit në stadium në Itali.