Biznesmeni nën hetim për aferën e incineratorëve Mirel Mërtiri, ka nisur një betejë ligjore me përfaqësues të opozitës që kanë denoncuar këtë çështje publikisht.

Sipas burimeve të Ora News, mësohet se biznesmeni Mirel Mertiri ka dorëzuar padi për shpifje në Gjykatën e Posaçme për 5 deputetë të PD për akuzën e shpifjes.

Persona të paditur në këtë çështje janë Lulzim Basha, Gazmend Bardhi, Ina Zhupa, Belind Kellici dhe Jorida Tabaku.

Në akt-padinë e dorëzuar në Gjykatë, Mertiri pretendon se akuzat ndaj tij janë të pavërteta.

Sipas biznesmenit, ai është vetëm i punësuar në kompaninë që menaxhon incineratorin dhe nuk ka statusin e administratorit. Seanca e parë për këtë çështje pritet të mbahet ditën e sotme në orën 14.00

  • Nuk dihet nëse Mirel Mërtiri do të paraqitet në seancë. 

Mirel Mërtiri është bashkëjetuesi i Stela Gugallja, ortake e vetme dhe administratore e shoqërisë “Albtek Energy”. Ajo së bashku me Klodian Zoton janë shpallur në kërkim pasi akuzohen si në bashkëpunim me ish ministrin e Mjedisit, Lefter Koka janë të përfshirë në  skemën e pastrimit të parave në incineratorin e Elbasanit.

Koka u arrestua më 14 dhjetor dhe ndodhet në masën e sigurisë “Arrest me burg” ndërsa vijojnë kërkimet për arrestimin e Gugallja dhe Zotos.