Nisja e aplikimit të dozës së dytë kundër koronavirusit riktheu fluksin e të moshuarve pranë qendrave të vaksinimit në Elbasan e Fier. Ndaj drejtuesit e DSHP, përsëritën thirrjen mjekët e familjes ti orientojnë qytetarët në orare të ndryshme, në mënyrë që të shmangen grumbullimet dhe pritja.

Nisja e aplikimit të dozës së dytë të vaksinës anti-Covid riktheu radhët pranë çadrës së vaksinimit në Fier.

Të moshuarit ishin paraqitur që në orët e para të mëngjesit, por për shkak të fluksit u përballën me pritje që shkoi në disa orë.

“Kemi 2-3 orë që po presim, kemi dozën e dytë për të bërë”.

Veç atyre që dozën e kishin të planifikuar, kishte edhe të moshuar që ishin paraqitur pa u lajmëruar nga mjekët e familjes.

“Erdha vetë, nuk më kanë lajmëruar.”

Drejtorja e DSHP, Mirela Mitre, thotë se radhët krijohen për shkak se qytetarët preferojnë kryesisht orët e paradites për vaksinim.

“Pensionistët kanë tendencë të vijnë në mëngjes.”

Aplikimi i dozës së dytë nisi edhe në Elbasan.

Qytetarët thanë se ishin njoftuar më herët për datën dhe asnjë nuk paraqiti efekte anësore serioze.

“Pak dhimbje krahu dhe pak si ngacmim në stomak.”

Të moshuarit që bënë edhe dozën e dytë të vaksinës u bënë thirrje bashkëmoshatarëve të mos hezitojnë për tu imunizuar kundër virusit që u ka marrë jetën mbi 2300 shqiptarëve.

“Të gjithë duhet të bëjnë vaksinën.”

Mbi 450 mijë qytetarë janë kanë marrë të paktën një dozë ose kanë përfunduar procesin e imunizimit me një nga katër vaksinat që po përdoren në Shqipëri.