Drejtoresha e CDC-së, Rochelle Walensky, nënshkroi një seri rekomandimesh nga një panel i këshilltarëve, sipas të cilave, dozat përforcuese të vaksinës Pfizer duhet t’u ofrohen personave mbi 65 vjeç, banorëve të shtëpive të pleqve dhe atyre të moshave 50-64 vjeç, që kanë probleme të rrezikshme shëndetësore.

Doza shtesë do të jepet së paku gjashtë muaj pas vaksinimit të plotë.

Në Shtetet e Bashkuara përdoren tri vaksina kundër koronavirusit: Pfizer, Moderna dhe Johnson&Johnson.

Rreth 182 milionë amerikanë janë të vaksinuar plotësisht, ose rreth 55 për qind e popullsisë.

Dhënia e dozave përforcuese ka nisur tashmë edhe në disa vende të tjera, me gjithë kundërshtimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila thotë se vendet e varfra nuk kanë doza të mjaftueshme për nisje të vaksinimit.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, koronavirusi ka prekur mbi 230 milionë njerëz në të gjithë botën.

Prej tyre, mbi 4.7 milionë kanë humbur jetën.

Deri të premten janë dhënë mbi 6 miliardë vaksina në të gjithë botën.

/REL