Boksieri amerikan Mike Tyson, në një intervistë për “Sportweek”, ka rrëfyer për jetën e tij private dhe rikthimin në ring. Ish-legjenda e ringut, aktualisht jeton në Los Anxhelos, por një pjesë të mirë të kohs e kalon në periferi të Las Vegas, ku ndodhet ferma e tij. Në këtë fermë ai kultivon marijuanë për qëllime mjekësor.

Ai jeton së bashku me bashkëshorten e tij Lakila Spicer me të cilën është martuar në vitin 2009. Ajo duket se është njeriu i duhur për “Iron Mike”, me të cilën ka gjetur qëtësinë, ndërkohë që dikur akuzohej për përdhunime.

“Jam krenar për jetën time. Kam tetë fëmijë dhe i dua të gjithë. Milan, që është 14 vjeçe, luan tenis, ndërsa Amir, 24 vjeç, dëshiron të ndjekë gjurmët e mia dhe është boksier. Për mua nuk ka asnjë problem, mjafton që të jenë të lumtur në atë që bëjnë. Jam kthyer në një baba të dhembshur dhe model”, thotë Mike Tyson.

“Nuk jam gjithnjë në paqe me veten time. Mund të dukem i qetë, por brenda meje ka ende shumë inat. Ëndrra ime për vitin e ardhshëm është të shkoj në Vatikan dhe të takoj Papën. Ndoshta duke patur edhe një ring afër”, thotë Tyson.

Duke folur për boksin shton: “Dueli im show me Roy Jones (nëntor 2020) pati shumë sukses dhe jam gati të rikthehem sërish në ring. Ruaj formën sportive me një dietë speciale, në të cilën nuk lejohet mishi”.