Komiteti i Ekspertëve në Shqipëri ka ndezur “dritën jeshile” për përdorimin e dozës së tretë të vaksinës anti-Covid.

Gjatë deklaratës për mediat, anëtarja e komitetit Gjeorgjina Kuli deklaron se së shpejti do të aplikohet doza e tretë në kategoritë e riskut.

Vaksina e tretë do të nisë sipas një kalendari të përcaktuar, e fillimisht do të përfshihen mjekët, arsimtarët dhe punonjësit e policisë. Më pas dozat e treta do të injektohen për personat mbi 60-vjeç, si dhe ato mbi 12 vjeç që kanë probleme shëndetësore.

“Kemi vendosur që të rekomandojmë dozën e tretë për grupmoshat mbi 60 vjeç dhe për personat me sëmundje të caktuara kronike. Ne kemi rekomanduar që të dalë protokolli i gatshëm për të gjithë detajet për kontingjentet që do të bëjnë dozën e tretë, lloji i vaksinës, afatet kohore dhe kombinimet e ndryshme”, tha Kuli.

Ekspertja tregon për vaksinat që do të përdoren për dozën e tretë, ku nuk përjashtohen as kombinimet. “Kemi bërë skenarë dhe kombinacione të lejueshme. Kështu, të moshuarit që kanë marrë dy dozat Coronacav mund ta marrin dozën e tretë Pfizer ose Coronavac sërish. Ndërsa për fëmijët është lëne vaksina Pfizer, pasi deri tani studimet për këto grupmosha i kemi me këtë vaksinë”, përfundoi Gjeorgjina Kuli.