Vëzhguesit ndërkombëtarë identifikuan keqpërdorimin e administratës publike si një ndër problemet kryesore që u vu re në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Të paktën kështu e lexon situatën drejtuesja e misionit të OSBE/ODIHR, Ambasadorja Urszula Gacek, e cila në një intervistë për Deutsche Welle ka shprehur rezerva për qëndrimin jo të qartë sipas saj ndaj kufirit mes partisë e shtetit. Madje këtë problem e konsideron edhe më shqetësues sesa shit-blerja e votës.

“Ne kemi pasur një shqetësim më të madh sesa shit-blerja e votës: keqpërdorimin e burimeve të administratës shtetërore, qëndrimin e turbullt ndaj kufirit mes partisë dhe shtetit. Lidhur me shit -blerjen e votës, është një dukuri për të cilën në zgjedhjet e mëparshme janë bërë rekomandime sesi të trajtohet. Duhet vënë në dukje që shit-blerja e votës nuk i përket një partie të veçantë,” tha Gacek.

Por a janë zbatuar rekomandimet e mëparshme në këtë proces zgjedhor. Gacek thotë se në dy prej tyre nuk është bërë asnjë përparim. Një ndër to është burimi i financimit për fushatën.

 “Por dy prej tyre nuk janë adresuar fare dhe sigurisht do të jepen përsëri. Rekomandim i parë, i paplotësuar, është ai për të patur një raport të ndërmjetëm para ditës së zgjedhjeve lidhur me burimet e financimit për fushatën dhe kandidatët,” tha Gacek.

Në fund të gjithë procesit misioni i OSBE/ODIHR do të publikojë edhe një raport, ndikimi i të cilit mbetet të shihet në konferencën e parë ndërqeveritare me Bashkimin Europian.