Nismës Ballkani i Hapur sot i bashkohet edhe Mali i Zi. Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, mbërriti dje në Ohër, por ai do të jetë, ashtu si Presidenti Gjykanoviç në samitin e Tiranës në 2019-ën, thjesht në rolin e vëzhguesit. Kjo pasi Mali i Zi ende nuk e ka marrë zyrtarisht vendimin për t’iu bashkuar “Open Balkan”.

Abazoviç tha se nuk sheh asnjë të keqe nga kjo iniciative. Ai është kritikuar nga një pjesë e publikut në vendin e tij, për shkak se nuk e përjashton mundësinë e anëtarësimit të Malit të Zi në Ballkanin e Hapur, një nismë e nisur në vitin 2019, e cila deri më sot, pavarësisht se ka mbështetjen e BE-së, si dhe të administratës së mëparshme dhe asaj aktuale të SHBA-së, nuk arriti të zgjerohej.

Ndërkohë, Kryeministri Rama sapo mbërriti dje në Ohër takoi Kryeministrin Abazoviç. Rama njoftoi se është takuar edhe më ambasadorin e SHBA-së në Serbi, Chris Hill.

“Kënaqësi marrja e kafes së sapombërritjes në Ohër, me Kryeministrin Dritan Abazoviç, i cili fut zyrtarisht Malin e Zi në Ballkanin e Hapur, si edhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Serbi, Chris Hill, i cili është një mik i kahershëm i Shqipërisë e shqiptarëve, po edhe një mbështetës i vendosur i ‘Open Balkan’”, shkruan Rama.

Mungon Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mungoi në samitin e Ohrit të “Open Balkan”, ndërkohë që Prishtina zyrtare reagoi ashpër pas deklaratave të fundit të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili në një konferencë për shtyp për anulimin e vizitës së tij në Serbi deklaroi mbështetjen për “Ballkanin e Hapur”.

Zyra e Presidencës nënvizoi se Lavrov tregoi që nisma “Ballkanit të Hapur” është një instrument i cili promovon hegjemoninë rajonale nga Rusia dhe Serbia. “Ministri i Jashtëm i Rusisë, Lavrov, konfirmon hapur lidhjen mes synimeve hegjemoniste të Rusisë në Ukrainë dhe synimeve hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës. Për më tepër, Lavrov e sheh nismën e Ballkanit të Hapur si një instrument për promovimin e hegjemonisë rajonale nga Rusia dhe Serbia dhe për të prishur integrimin në BE dhe NATO”, deklaroi Blerim Vela, shef i stafit të Presidencës së Kosovës.